U kap me kokainë së bashku me “Ilin”, dënohet me 7 vite burgim Maringlen Kamami, jeton në Dubai
Është dënuar me 7 vite burgim, Maringlen Kamami, shoku i ngushtë i Emiljano Ramazanit, i njohur ndryshe në Elbasan me nofkën “Ili”, i cili në vitin 2020 mbeti i vrarë në këtë qytet me 6 plumba.
Kamami dhe Emiljano Ramazani, ishin shpërndarës kokaine në Elbasan. Në vitin 2017 prokuroria, nisi një hetim për Ramazanin së bashku me Maringlen Kamamin, për akuzën e shpërndarjes së kokainës.
Ndaj tyre prokuroria kërkoi dënim me burg ndërsa çështja u pushua në korrik 2019 nga gjyqtarja, Enkelejda Kapedani, që i deklaroi të dy shpërndarësit të pafajshëm.
Por ky vendim u apelua dhe në 27 dhjetor 2021, treshja e gjyqtarëve Florjan Kalaja, Valbon Çekrezi dhe Igerta Hysi, kanë vendosur të ndryshojnë vendimin e shkallës së parë, duke shpallur fajtor dhe dënuar me 7 vite burgim, Maringlen Kamamin.
Ndërsa për Emiljano Ramazanin, prokuroria u tërhoq nga kërkesa për dënim, pasi ai prej 2020 ka ndërruar jetë.
Kamami dhe Ramazani u ndaluan nga Policia me dhjetëra doza kokainë dhe Metanol, ku në telefon ju sekuestrua dhe një listë personazh që do e shpërndanin në Elbasan. Prej 17 shkurtit 2017 deri në datën 16 korrik 2019, Kamami ka qëndruar në burg.
Ndërsa pas lirimit nga qelia, rezulton se ai është larguar nga Shqipëria në Itali dhe mandej ka udhëtuar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kamami vijon të jetojë ende në Dubai, pasi pikërisht nga ky qytet ai ka lëshuar një prokurë që autorizonte avokatin e tij, ta përfaqësonte në gjykatën e Apelit në Durrës. Kamami, është pjesë e një grupi kriminal që qëndron mes Elbasanit, Spanjës dhe Dubait.
