"Databasa e pagave ju shit subjekteve private", Imeraj: I kanë blerë persona që punojnë në fushën e përmbarimit

Të dhënat personale të shqiptarëve, pagat, numrat e telefonit, vend ii punës targat e automjeteve kanë dalë nga dy punonjës të AKSHI-t të cilët ia kanë shitur personave të tjerë të punësuar në subjekte të përmbarimit.

Në këtë përfundim ka arritur Prokuroria e Tiranës. Duke sqaruar mekanizmin e zhvillimit të ngjarjes, prokurorja Elisabeta Imeraj ka theksuar se skandali ka nisur që prej publikimit të patronazhistëve të Partisë Socialiste.

Personat e arrestuar për këtë çështje janë Eni Qirjako dhe Andi Agaraj të cilët janë të punësuar në drejtorinë e tatimeve, si dhe Klodian Sota dhe Endri Ikonomi të cilët kanë blerë të dhënat.

"Specialisti i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve e cila është e punësuar në Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, këto të dhëna i ka shpërndarë te kolegu i saj, i cili ka shfrytëzuar marrjen e këtyre të dhënave në mënyrë të paautorizuar prej tij dhe ka arritur që këto të dhëna t'ia shesë subjekteve private," tha Imeraj.

Hetimet do të vijojnë më tej me një tjetër pistë, tashmë duke u fokusuar edhe te qëllimi i publikimit të këtyre të dhënave.

"Prokuroria po heton jo vetëm mekanizmin e ngjarjes, evidentimin e autorëve, personave që kanë pasur aksesin apo personave që këto të dhëna i kanë shitur te persona të tjerë, por edhe në drejtimin të hetimit të qëllimit të përdorimit të këtyre të dhënave," shtoi Imeraj.

Hetimet për patronazhistët, i nisur para zgjedhjeve parlamentare të prillit është bashkuar me skandalin e publikimit të pagave dhe të mjeteve.