Dajti Alpino-Turistik, Haçkaj tregon si u themelua Shoqata për të nxjerrë të rinjtë nga kafet. Sinamati: Në mal s'mund të jesh egoist
Turizmi malor dhe vizitimi i sa më shumë vendeve turistike sidomos në këtë sezon dimëror, është një ndër temat më të diskutuara kohët e fundit.
Pikërisht, për të folur më shumë rreth kësaj teme mjaft interesante ishin të ftuar këtë pasdite në emisionin “Jeto me orën” në RTV Ora dy anëtarët e shoqatës Dajti Alpino-Turistik, Florian Haçkaj, menaxher në sigurinë kibernetike në Zvicër dhe Arta Sinamati, pedagoge ekonomie.
Alpinisti Haçkaj u shpreh në emision se qëllimi kryesor i kësaj shoqate ishte largimi i të rinjve nga ambjentet e kafeve, për të vizituar dhe zbuluar bukuritë e natyrës.

“Shoqata është themeluar nga babai im në vitin 1999. Kjo shoqatë në vetëvete kishte si synim të largonte pak të rinjtë nga ambjenti i bareve dhe kafeve që të dilnin dhe të vizitonin vendet e bukura të Shqipërisë”, u shpreh Haçkaj.
Më tej ai bëri një apel për të gjithë ata që duan malin dhe ngjitjen në vendet turistike. Pasi, sipas tij, fryma e grupit dhe bashkëveprimi është shumë e rëndësishme në turizmin malor.
“Në mal kurrësesi nuk mund të jesh egoist, por fryma dhe bashkëpunimi i grupit është shumë i rëndësishëm. Vetëm atëherë mund të ngjitësh majën e malit, dhe të kthehesh shëndosh e mirë në shtëpi, kjo është arritja më e madhe në një ngjitje në mal. Të ngjitesh në mal dhe të kthehesh me këmbët e tua, kjo është arritje, jo t’i bëhesh barrë grupit, anëtarëve të tjerë”, u shpreh ndër të tjera Haçkaj.
Ndërkohë, pedagogia Sinamati u shpreh në studio se fillimin e saj në anëtarësimin e kësaj fushate familjarët nuk e pritën mirë, pasi merakoseshin për të.
Por, sipas saj më vonë kuptoi se është një e mirë në favor të saj.
“Në fillim familja ime nuk ka qenë shumë dashamirëse ndaj ndjekjes së këtij sporti, pasi përgjithësisht kam qenë person që bëja një jetë të qetë. Por, më pas ata e kuptuan se ky sportë është në të mirën time dhe të shëndetit tim. Më pas kam pas përkrahje si nga familja, miqtë dhe të afërmit e mi”, u shpreh Sinamati.
Haçkaj, gjithashtu listoi një sërë elementësh që duhet të kemi parasysh kur nisemi për ngjitje malore.
“Duhet të kesh me vete pajisjet, nëse të gjen ndonjë dëmtim, çfarë mund të bësh në mal? Gjithashtu, ushqimi është shumë i rëndësishëm në ngjitje në mal, frutat e thata, pijet etj. Dhe veshja është një ndër elementët kryesorë, pasi duhet të jetë e përshtatëshme”, tha ndër të tjera Haçkaj.
"Duhet të jesh i disiplinuar, qoftë në ushqim. Pasi, ngjitja në mal kërkon një kujdes dhe mirëmbajtje”, përfundoi Sinamati.
