Viti i ri nis me krim, Hajdarmataj: Arrestohet i plagosuri për moskallëzim krimi, qesharake, policia të …
Janë vetëm ditët e para të 2022 dhe nuk po ndalen ngjarjet kriminale. Më e bujshmja ishte atentati i një ditë më parë në "Don Bosko", ndërsa ngjarja e fundit u regjistrua mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku një 36-vjeçari ju bë atentat në hyrje të pallatit, duke u qëlluar me armë zjarri në distancë nga një automjet.
Ish-drejtori i Policisë, Arben Hajdarmataj, në një intervistë për Ora News për gazetaren Matilda Mcini thotë se ngjarja në "Don Bosko" ishte tronditëse, ndërsa u ndal edhe te njoftimi për arrestimin e Vinçens Pirolit që u plagos në Shkodër.
"Nuk jemi në një situatë normale në këtë fillim viti, ngjarja e djeshme në "Don Bosko" ishte tronditëse. Njerëz që shkojnë për të shijuar një kafe dhe gjenden para një breshërie armësh me kallashnikov. Para se të ndodhte ngjarja të plagosurit kishin qenë dhe në shoqërinë e bashkëshorteve të tyre. Imagjino në çfarë situate jemi. Viti ka nisur shumë keq, një plagosje që ndodhi në Shkodër. Sot dëgjova që arrestohet i plagosuri për moskallëzim krimi, kjo nga ana profesionale është krejt qersharake. Policia e Shtetit duhet të zhvishet nga këto budallallëqe.Ka ndodhur krimi, analizo, merr masa të mos ndodhë prapë".
Duke mbetur prapë te atentati i djeshëm në kryeqytet që la pas një viktimë dhe 4 të plagosur, ai thotë se marrë parasysh vendin ku ka ndodhur dhe armën me të cilën është qëlluar pasojat mund të kishin qenë më dramatike.
"Qitja me armë është automatike, mund të kishim pasoja më të mëdha. Është një krim që ka kohë që nuk e kishim parë. Kemi parë raste me objektivë konkretë. Mund të kishte viktima të tjera, në mes të qytetit dhe në mes të ditës, në një zonë të mbipopulluar".


