Maliqi: Rrëzimi i Bashës rrëzon edhe narko-shtetin, bën veprime fëmijësh me brava dhe çelësa

I ftuar në RTV Ora, ish-deputeti Lefter Maliqi u shpreh se rrëzimi i Lulzim Bashës si kryetar i PD-së sjell edhe rrëzimin e narko-shtetit.

Sipas tij, aktet me ndërrime bravash dhe dyersh janë veprime fëmijësh, duke shtuar se nëse do të ketë njerëz me armë dhe gaz lotsjellës do të lajmërohet policia.

Maliqi: Rrëzimi i Lulit sjell edhe rrëzimin e narko-shtetit. Gjatë këto 8 viteve nuk ka pasur opozitë, pasi është në gjumë. Ka ngritur gjithë këto kauza false. Berisha në veprimet e tij është i vonuar. Ndërsa Bashës i kam thënë qysh në 2013 se nuk jam me të. Këto veprimet me ndërrime bravash dhe çelësash janë veprime fëmijësh. Jo derë të blinduara të vërë Luli, demokratët do të shkojnë aty në datë 8 dhe Basha do të përfundojë ndonjë çerdhe fëmijësh.

Nëse Luli do të jetë në fole sikurse thotë, edhe pse nuk e besoj se do të jetë, dhe nëse tenton dikush të përdorë armë dhe gaz lotsjellës, do të njoftohet policia e shtetit për t’i kapur këta persona. Këto janë presione që u thuhet njerëzve se mund të ketë ndonjë viktimë. Një përplasje fizike i intereson Ramës dhe Lulit. Grupi i 11 dhjetorit ishte futur me kohë në PD po të kishte qenë për përplasje.

Maliqi shtoi se Basha ka goditur njerëzit e afërt të Berishës, po ashtu edhe LSI-në dhe se nuk do të bëhet kryeministër, por do të jetë i dyti.

Maliqi: Basha ka goditur njerëzit e afërt të Berishës, po ashtu edhe LSI-në. Ky është më rregull sepse tenderat po i merr kunati dhe pazaret po i  bën me Ramën, emërimet po i bën me lekë në parti. Kështu që ky nuk do të bëhet kryeministër dhe do të jetë i dyti. Tashmë e kanë kuptuar demokratët këtë marrëveshje me Ramën. Basha është i trembur dhe i vogël, si një fëmijë që rri brenda guacës së vet.