Dy festa për një ditëlindje, dega e PD Kukës feston në dy kampe të ndara

31 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike dega Kukës, e gjeti këtë forcë politike të përçarë. Përplasjet në qendër, dukshëm janë shpërndarë edhe në rrethe, ndërsa nga njëra anë Bujar nishani ftoi demokratët në protestën e së shtunës kundër Lulzim Bashës, ndërsa deputeti Flamur Hoxha mohoi përçarjen në parti.

Me dy gishtat lart, simbolin e lirisë, dhe me thirrjet “Luli Ik” ish-presidenti Bujar Nishani u prit nga një pjesë e demokratëve në Kukës në 31 vjetorin e themelimit të degës së kësaj partie në këtë qytet.

I rreshtuar krah Sali Berishës, Nishani deklaroi qartazi se nuk ka asnjë hap pas.

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga protesta e së Shtunës të thirrur nga Grupi i Rithemelimit, Nishani i ftoi demokratët e Kukësit që të jenë në Tiranë për atë që ai e quan rikthim i selisë.

Pak metra më larg Pallatit të Kulturës ku ish-presidenti po mbante takimin e tij, deputeti Flamur Hoxha dhe të tjerë mbështetës të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës ishin mbledhur në një takim më formal.

Edhe pse kriza është e dukshme në kampin demokrat, Hoxha nuk pranoi të konfirmojë përçarjen në partinë së cilës i përket.

Edhe dega lokale në Kukës e Partisë Demokratike është e pozicionuar në dy kampe të mëdha, atë pro Sali Berishës dhe Pro Lulzim Bashës, ndërsa kundër këtij të fundit është lajmëruar një protestë të shtunën.