“Green Pass” për ambiente të mbyllura e tubime? Rama: Do të marrim një opinion të njerëzve në formular
Një nga temat që do të diskutohet me qytetarët në formularin e Këshillimit Kombëtar do të jetë dhe vendosja e certifikatës së gjelbër të vaksinimit.
Një fakt të tillë e bëri me dije kryeministri Rama.
"Në këshillimin kombëtar ne kemi një pyetje ku do të marrim një opinion të njerëzve lidhur me këtë masë. Pra, a duhet Shqipëria të vendosë certifikatën e gjelbër të vaksinimit, si kusht për të hyrë në hapësirat publike apo tubime të mëdha?"
Ai tha se frekuentimi i mjediseve të përbashkëta me të pavaksinuarit gjithnjë e më tepër po shihet si shqetësim nga personat që tashmë janë vaksinuar.
"Njerëzit e vaksinuar në një masë të madhe pretendojnë se hapësirat e përbashkëta nuk mund të frekuentohen nga njerëz të pavaksinuar dhe kjo është arsyeja pse thuajse në të gjitha vendet pa patur pasaportën e gjelbër virtuale të vaksinimit nuk mund të hysh në lokal apo mjedise publike. Madje, tani po bëhet e detyruar edhe për sportistët, nëse nuk janë të vaksinuar nuk mund të hyjnë në fushë".
Gjatë një bashkëbisedimit me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, Rama tha se vaksinimi nuk është me detyrim, por shqetësimi po vjen në rritje.
"Nuk ka asnjë detyrim vaksinimi me zor, por ka një shqetësim që po vjen në rritje, pasi po shikojmë çfarë po ndodh në vende të tjera dhe ka një domosdoshmëri për të rritur ndjeshmërinë e shumëkujt lidhur me faktin se vaksinimi është shpëtim, lehtësim i konsiderueshëm, garanci e pakontestueshme shkencore. Shumëkush që ndjek shkencën, rrugën normale të vaksinimit për të garantuar veten apo të tjerët, ndjehet në vështirësi apo i kërcënuar, kur në mjedise të përbashkëta ndeshet me dikë që nuk është i vaksinuar".
