Objektivi “mbron” atentatorët, Vinçens Piroli i plagosur e kushëriri fshehin të vërtetën e sulmit në Shkodër

Vinçens Piroli, 34-vjeçari që ishte objektiv i një atentati në Shkodër, po e mbron personin që e sulmoi me armë, duke fshehur të vërtetën e ngjarjes që mbetet e mbuluar me mister. Për këtë i riu është vënë në pranga së bashku me kushëririn që e dërgoi të plagosur në spitalin e Lezhës, mbrëmjen e 3 janarit.

Autorët e atentatit ndaj Vinçens Pirolit në Shkodër mbeten të lirë dhe vetë ngjarja e mbuluar me mister pasi 34-vjeçari që mbeti i plagosur po fsheh të vërtetën.

I riu nga Kurbini jo vetëm që nuk e njoftoi policinë në kohë, por nga Spitali i Traumës ku trajtohet po pengon hetimin, duke mos treguar rrethanat e ngjarjes.

Skenarin për manipulimin e atentatit, Vinçens Piroli, sipas policisë, po e zbaton me kushëririn 29-vjeçar Marjan Marku.

Ky i fundit ishte personi që e transportoi nga Shkodra në spitalin e Lezhës, ku Piroli u paraqit me tre plumba në trup mbrëmjen e 3 janarit.

Kjo lëvizje që në fillim dyshohet se ishte tentativë për të mos raportuar atentatin.

Por ishin mjekët që zbatuan procedurën dhe njoftuan policinë që deri në atë moment nuk kishte asnjë dijeni për tentativën e vrasjes.

Piroli dhe kushëriri i tij dhanë tre vendngjarje, mes të cilave edhe lagjen e Bahçallëkut, ku ka dyshime se ndodhi sulmi.

Të dy nuk dhanë asnjë detaj për rrethanat apo autorët.

Vetë objektivi i atentatit tha se u qëllua me tre plumba pas shpine me pistoletë me silenciator, ndërsa kushëriri deklaroi se nuk dinte asgjë.

Në kushtet kur vetë objektivi i atentatit nuk tregon dhe policia e Shkodrës nuk po arrin të zbardhë ngjarjen, autorët mbeten të lirë.

Të vetmit në pranga janë 34-vjeçari Piroli në Spital dhe kushëriri i tij Marjan Marku, i cili u ndalua pas dëshmive në Policinë e Shkodrës.

Të dy  akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vinçes Piroli, prej tre muajsh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se në bashkëpunim me Dorian Lalën vranë një biznesmen malazez, korrikun e kaluar në Ulqin.