Krijuesi i vaksinës AstraZeneca: Nuk mund ta vaksinojmë planetin çdo 6 muaj
"Vaksinimi i qytetarëve me doza përforcuese 2 herë në vit është i pamundur", tha Andrew Pollard, një nga krijuesit e vaksinës Oxford AstraZeneca kundër koronavirusit.
“Nuk mund ta vaksinojmë planetin çdo gjashtë muaj”, tha ai në një intervistë për "The Telegraph", të publikuar sot, 4 janar.
Pollard, i cili gjithashtu kryeson Komitetin e Përbashkët të Vaksinimit dhe Imunizimit në Mbretërinë e Bashkuar (JCVI), theksoi "nevojën për të synuar të pambrojturit" në të ardhmen, në vend që të jepen doza për të gjithë njerëzit mbi moshën 12 vjeç.
Shkencëtari shprehu dyshime për nevojën e një doze të katërt të vaksinës kundër Covid-19, duke thënë se nevojiten informacione të mëtejshme përpara se të fillojnë fushatat e vaksinimit.
Izraeli tashmë ka filluar të japë një dozë të katërt të vaksinës, duke ua ofruar të gjithë mjekëve dhe personave mbi 60 vjeç nga e hëna, 3 janar.
Por Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach tha për transmetuesin publik ZDF në fund të dhjetorit se gjermanët "do të kenë nevojë për një dozë të katërt" kundër Covid-19.



