Protestë kundër masave anti-Covid, 35 000 persona u tubuan nëpër qytetet gjermane
Ndërsa Gjermania po kalon një valë të re të përhapjes së koronavirusit, mijëra njerëz kanë marshuar nëpër qytetet gjermane në mënyrë paqësore kundër masave kufizuese anti-Covid, si edhe vaksinimit me detyrim.
Rreth 35 mijë persona kanë marshuar nëpër rrugët e Gjermanisë kundër masave anti-Covid dhe vaksinimit me detyrim të hënën në mbrëmje.
Protestat përgjithësisht ishin paqësore, por nuk munguan as rastet përshkallëzimit të tubimit, ku disa persona përfshirë punonjësit e policisë mbetën të plagosur dhe disa të tjerë u arrestuan.
Në Berlin mijëra persona marshuan paqësisht nëpër lagjet e qytetit dhe më pas u shpërndanë nga policia.
Sipas policisë në Thyringen , rreth 16,000 persona morën pjesë në protesta të paparalajmëruara kundër masave kufizuese. Përveç përleshjeve të vogla, demonstratat kanë qenë paqësore, tha një zëdhënës i policisë.
Megjithatë, dëshmitarët okularë vlerësuan se numri ishte rreth dyfishi i madhësisë.
Mbi 4000 persona u tubuan në Nuremberg pa regjistruar asnjë incident, ndërsa autoritetet i kërcënuan demonstruesit me gjoba pa paralajmërim.
Në Magdeburg, protestuesit shpërthyen fishekzjarrë dhe qëlluan me sende ndaj zyrtarëve të policisë.
Ndaj 40 personave ka nisur procedimi për lëndim të rrezikshëm fizik dhe sulm ndaj punonjësve të rendit.
Sipas policisë, rreth 12,000 njerëz u tubuan në më shumë se 20 qytete, ku nuk u shënuan incidente, për shkak se marshimet ishin paqësore dhe shpesh në heshtje.
Në Gjermani, hyrja nëpër bare, restorante, teatro, kinema apo përdorimi i transportit publik bëhet vetëm përmes pasaportës së vaksinimit ose testit negativ.
Të hënën Gjermania regjistroi 26,345 raste të reja dhe 196 humbje jete nga Covid-19.

