Shkrimtarja shqiptare me histori të jashtëzakonshme në Piacenza të Italisë: Fillimi është i vështirë

Këtë pasdite në emisionin “Jeto me orën” në RTV Ora ishte e ftuar shkrimtarja shqiptare Erjeta Kici, e cila jeton në Itali, nga ku është cilësuar edhe si drita jeshile e Shqipërisë.

Kici rrëfeu në studion e RTV Orës, vështirësitë që ka hasur që kur ishte fëmijë, dhe studionte në kryeqytet e deri tek moment kur arriti të botoj edhe romanin e saj të parë në vitin 2005.

Ajo u shpreh se ka kaluar ditë të vështira kur ishte studente, saqë përmendi se studionin në ambient pa drita, pa xhama si dhe pa ngrohje.

“Kam studiuar në shkollën ‘Politeknikum’ të Tiranës, ku sot është Harry Fullz, kushtet kanë qenë tepër të vështira. Flitet për një periudhë, që jetonim në kushte mizore, pa xhama, pa ngrohje dhe pa drita. Mbaj mend që kisha një rezistencë të vogël dhe e merrja nga shtëpia, kishte shoqe të mija që nuk kishin fare”, u shpreh Kici.

Gjatë diskutimit në studio Kici tha se të afërmit e saj që jetonin në Itali, shërbyen si një indicie për të braktisur Shqipërinë, ku dëshira e saj ishte të shkollohej në Itali.

“Vendimi për të ikur në Itali, erdhi  pasi kisha kushërinj, të afërm që jetonin atje. Ika me atë shpresën dhe dëshirën për të studiuar atje, por shkollimi në Itali ishte shumë shtrenjtë asaj kohe. Pastaj, fillimi është shumë i vështirë për ta nisur çdo gjë nga e para, sado që të të presin mirë, në fund të fundit përsëri mbetesh i huaj”, u shpreh ndër të tjera ajo. 

Më tej ajo theksoi se pasionin dhe dashurin për të shkruarin ishte gjenetike, pasi babai i saj ishte mësues Letërsie, vjen nga një familje arsimtarësh.

“Babai im ka qenë mësues Letërsie, besoj se edhe dashuria që unë kam për librin dhe të shkruarin është gjenetike. Babai nuk ka qenë aq kritik sa nëna. Nëna ishte ajo që më nxiste, por dhe ajo që më frenonte, që gjithmonë të shkoja sa më afër të përsosurës. Ajo çfarë mua më frymëzon të shkruaj është historia dhe gjeografia e një vendi”, u shpreh Kici.

Ndër veprat e saj, ajo vlerësoi më shumë romani “Zemra e fundit”, sipas saj kjo vepër e kthente atë në kohën e studimeve, ku ndjente shumë nostalgji për atë kohë.

“Zemra e fundit”,është një ndër veprat e mija më të pëlqyera, pasi më kthen në kohën pas kur kam qenë në konvikt”, përfundoi shkrimtarja Kici.