Basha gjyqtarëve dhe policisë: Do të keni presione, por jeni aty për tu shërbyer shqiptarëve
Në një dalje nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha ka lëshuar edhe një mesazh për drejtësinë, punonjës të policisë dhe gjyqtarët në veçanti.
Ai bëri thirrje se ata do të kenë presione politike dhe ekonomike, por shtoi se ata janë aty për t’i shërbyer shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin.
Basha: Kam një mesazh për drejtësinë, punonjës të policisë dhe gjyqtarë në veçanti të atyre që i është besuar lufta ndaj korrupsionit. E di që është një rrugë e vështirë. Ditë për ditë ata ndeshen nga presione të aktorëve të rëndësishëm, nuk ka rëndësi nëse janë politikë, ekonomikë apo mediatik. Por dihet që jeni aty për t’i shërbyer shqiptarëve që duan fundin e tranzicionit të stërzgjatur. Kur jeni betuar për të marrë detyrat tuaja të rëndësishme, si prokurorë, gjyqtarë, atë betim se keni bërë para shefit të radhës apo kryeministrit as thjesht para një teksti të shtypur në një libër me koperturë të kuqe dhe shqiponjën dykrenare që quhet Kushtetutë. Por atë premtim ia keni bërë shqiptarëve, mbajeni premtimin dhe ecni përpara për luftën ndaj korrupsionit.
Qytetarët do të mbyllin një tjetër vit të vështirë. Nuk është e thënë që Shqipëria të vazhdojë të zbrazet nga ëndrrat, shpresa, të rinjtë e të rejat. Përkundrazi, Zoti na ka bekuar me një vend të jashtëzakonshëm. Zoti na ka bekuar me një rini që s’kanë asgjë mangut nga të rinjtë të Evropës. Ajo që na duhet është fundi i një sistemi thuajse feudal patronazhimi. Ajo që na duhet është që çdo shqiptarë të marri atë që meriton për atë veti, vlera dhe pune që bën. T’i japim fund patronazhimit që politika ka instaluar në ekonomi, jetën shoqërore dhe politikë.
