Erdogan së shpejti në Shqipëri, inspekton investimet e Turqisë në kuadër të procesit të rindërtimit
Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë së shpejti Shqipërinë për të parë nga afër investimin e Turqisë në kuadër të procesit të rindërtimit.
Lajmin Presidenti e dha gjatë takimit me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla, e cila ndodhet atje për një vizitë zyrtare.
Nikolla i shprehu Presidentit Erdogan mirënjohjen për ndihmën që Qeveria turke i ofroi Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Po të martën në Laç, Kryeministri Edi Rama inauguroi apartamentet e reja ku do të strehohen 500 familje.
"Në këtë rast është financim i qeverisë turke dhe kujdes i drejtpërdrejtë i Presidentit Erdogan, atij mikut tim që kur disave ju del në Facebook bëjnë lloj-lloj komentesh të padenja," tha Rama.
Kryeministri Rama tha se futja e banorëve në shtëpitë e reja i jep fund skepticizmit dhe thashethemeve që kanë shoqëruar procesin e rindërtimit.
"Që nga thashethemi që këtu do prishen dhe nuk do na i japin më kurrë mbrapsht, se do ndërtojnë pallate për lekët e veta, pastaj te thashethemi që do ndërtojnë por do na i japin me lek," tha kryeministri.
Një këshillë për kujdes adresoi për mbështetësit e Partisë Demokratike në Laç.
"Duke qenë se këtu juve votoni masivisht atë partinë tjetër duhet të bëni kujdes mos ju ndërrojnë bravën," tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se procesi i rindërtimit do të vijojë me ngritjen e shtëpive, shkollave e spitaleve.

