"Të përfshirë të majtë e të djathtë", Caka për aferën e incineratorëve: Është grup i strukturuar kriminal
Edhe pse është shpallur në kërkim për pastrim parash dhe korrupsion, Klodian Zoto vijon të marrë para nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Vetëm pak ditë më parë, konkretisht me 15 dhjetor të këtij viti kompania e Zotos ka marrë 62.7 milionë lekë si këst të radhës për të menaxhuar mbetjet urbane të qytetit të Fierit.
Ish-deputetja e LSI, Silva Caka, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetaren Matilda Mcini lidhur me këtë çështje shprehet se këto janë çështje të cilat nuk shpjegohen.
Caka: Të përfshirë në këtë çështje ka majtas dhe djathtas, mund të kemi çudira në vazhdim. Gjërat do të vijnë duke u zbuluar, ne do t'i "qepim" të gjitha dokumentet në mënyrën e drejtë që të mos ngelet asgjë jashtë këtij fokusi në ndërgjegjen tonë. Nuk bëhet fjalë për shuma të vogla, bëhet fjalë për një vjedhje galopante. Është një grup i strukturuar kriminal i cili nuk ka bërë vetëm vjedhjen e shqiptarëve, është një lloj pastrimi parave i cili nuk shqetëson më vetëm LSI dhe autoritete shqiptare, kjo çështje ka kaluar përtej kufijve tanë sepse janë përfshirë dhe kompani të cilat nuk i kanë selitë këtu.
Caka tha se LSI është në punë e sipër dhe çdo ditë shqyrtohen dokumente nga ana e tyre.
Caka: Nuk janë vetëm nga një krah zyrtarët që janë përfshirë në këtë çështje.
Vetëm një ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Leftar Koka, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer një transfertë me vlerë 62.7 milionë lekë kundrejt kompanisë Integrated Technology Ëaste Treatment Fier Sh.p.k. që menaxhon mbetjet urbane të qytetit të Fierit.
Caka tha se "nëse ligji do zbatohej njësoj për të gjithë, do të nxirrnin mandatet e arrestit për Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Erion Veliaj, Armando Subashin dhe drejtorë të nivelit parësor në ministri."
Caka: Duke u fokusuar vetëm te ish-ministri i Mjedisit dhe duke i lënë të gjithë të tjerët të bëjnë veprimet e tyre ndodhin edhe këto. Janë lënë të lira transaksionet në mënyrë që këta të vazhdojnë të marrin pjesën e tyre.
Caka tha se kjo nuk përbën çudi për sa kohë që nuk janë para drejtësisë njerëz që kanë marrë tagre që nuk i takojnë.
