"Politikat nuk shërbejnë për të përmirësuar mirëqenien ekonomike", Muço: Varfëria do ketë tendencë rritëse në 2022
Me festat e fundvitit duket se çmimet njohin rritje. Për më tepër në fillim të vitit 2022 do të hyjë në fuqi rritja e çmimit të energjisë elektrike.
I ftuar në Ora News, me gazetaren Matilda Mcini ishte eksperti i ekonomisë Klodian Muço i cili tha se nga shtatori e në vijim kemi një rritje të ndjeshme të çmimeve, jo vetëm të produkteve të konsumit, por të gjitha produkteve në tërësi.
Muço: Sipas të dhënave të INSTAT kemi një rritje të tërësi të çmimeve me 3%. Problemi nuk është rritja e çmimit sepse ky ka qenë fakt çdo fundvit. Problemi është ku do t'i gjejnë shqiptarët lekët? Kjo rritje e çmimeve i gjen shqiptarët më të varfër se sa ishin vitin e kaluar.
Muço u shpreh se Shqipëria është një vend që është mësuar pa politika spartane, që të çojnë në orientim e investimeve politike apo politika ekonomike konkrete që çojnë në reduktimin e varfërisë.
Muço: Politikat në vendin tonë, nuk shërbejnë për të përmirësuar mirëqenien ekonomike. Kjo rritje e çmimeve dihet që do vijojë dhe përgjatë vitit tjetër sepse çmimi i energjisë do vazhdojë të rritet në bursë, po kështu diskutohet edhe për shumë produkte të tjera. Çfarë bëri qeveria? Nuk bëri asgjë, nuk bëri konkretisht një indeksim të pagave. Nuk pati një indeksim për pensionistët që konsiderohet një shtresë vulnerabël e shoqërisë. Pensioni mesatar në Shqipëri është më pak se sa minimumi jetik në vend. Gjithë pensionistët nëse nuk do kenë ndihmën e fëmijëve të tyre, jetojnë me minimumin jetik. Nuk mori asnjë masë për 80 mijë të varfër. Varfëria do ketë tendenca rritëse edhe përgjatë 2022.
Më tej ai u ndal te borxhi publik për të cilin tha se është rritur dhe për fat të keq, sipas Muços, investimet publike në vend që të shkonin për reduktimin e varfërisë shkojnë për investime strategjike në infrastrukturë, për pagesën e konçesioneve të reja.
Muço: Edhe pse këto investime strategjike nuk japin efektet e pritura për sa i përket punësimit dhe mirëqenies, këta vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
Eksperti tha se duhet zgjedhur cila politikë ekonomike është më e përshtatshme. Ajo çka është më e rëndësishme sipas tij është bërja e politikave konkrete për reduktimin e papunësisë dhe rritjes së rrogave reale.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku
