Rritja e çmimeve, Sejko: Inflacioni pritet të rritet deri në mesin e vitit të ardhshëm
Ekonomia shqiptare do të ketë nivele në rritje të inflacionit edhe gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, duke reflektuar rritjen e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se efekti i rritjes së çmimeve do të fillojë të zbehet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Ai përsëriti projeksionin se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit pranë objektivit 3% pritet të ndodhë në fund të vitit 2022.
"Analiza e informacionit të disponuar tregon vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik në vend, përmirësimin e treguesve të tregut të punës, por dhe një rritje të shpejtë të inflacionit gjatë dy muajve të fundit. Rritja e çmimeve të naftës, të energjisë dhe të ushqimeve në tregun botëror, ka filluar të pasqyrohet – në mënyrë direkte dhe indirekte – në çmimet e artikujve të konsumit në vend. Këto goditje janë krijuar nga një zhbalancim i përkohshëm i kërkesës dhe ofertës.
Në këto rrethana, efekti i tyre do të jetë i pranishëm dhe gjatë gjysmës së parë të vitit në vazhdim, por – më tej – ai do të vijë drejt reduktimit. Në skenarin bazë, konvergimi i ekonomisë në ekuilibër dhe reduktimi i efektit të goditjeve të ofertës do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022".
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5% dhe të mbajë të pandryshuara normat e depozitave dhe kredive ditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.
Megjithatë, Sejko paralajmëroi se kthimi i inflacionit në objektiv do të kërkojë normalizim gradual të politikës monetare gjatë tremujorëve në vijim.
Banka e Shqipërisë vlerëson se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 11.7% në 6-mujorin e parë të vitit 2021, ndërsa sipas të dhënave të tërthorta rritja pozitive ka vijuar edhe në gjysmën e dytë të vitit.
Por, Banka e Shqipërisë parashikon se normat e rritjes do të jenë më të ulëta, për shkak të përfarimit të bazës krahasuese me vitin e kaluar.
Tremujori i tretë solli një përmirësim më të dukshëm të treguesve të punësimit në ekonomi. Guvernatori tha se përmirësimi i treguesve të tregut të punës dhe rritja e kërkesës për punë e raportuar nga bizneset sugjerojnë se presionet për rritjen e pagave do të vijojnë të forcohen në të ardhmen.
Sejko theksoi edhe njëherë se kredia bankare po regjistron norma të larta rritjeje, duke mbështetur gjithmonë e më shumë rritjen e konsumit dhe të investimeve.
Vëllimi i kredisë për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore me 11% në muajin nëntor. Rritja e kredisë është shtrirë si tek bizneset dhe individët, si për qëllime investimi ashtu edhe për mbulimin e nevojave afatshkurtra, si në lekë edhe në valutë.
Sipas Guvernatorit, rritja e kërkesës për kredi, e raportuar tek vrojtimi i aktivitetit kreditues, lehtësimi i kushteve të kreditimit, dhe shëndeti i mirë i industrisë bankare sugjeron për një ecuri të mirë të kredisë në vazhdim.
Pse bërtisni se dolën pagat, çdo e keqe ka të mirën e vet!
22 Dhjetor, 17:51

