Rritja e taksave dhe energjisë, Operatorët turistikë kritika bashkisë Vlorë dhe qeverisë

Rritja e taksave vendore nga bashkia e Vlorës dhe paralajmërimi  i qeverisë se prej janarit duhet të sigurojnë vete energjinë elektrike ka shqetësuar operatorët turistike në jug të vendit. Ata i cilësuan goditje ndaj biznesit shtimin e kostove dhe kufizimet ende në fuqi.

Të mbledhur për zgjedhjen e kryetarit të ri, operatorët turistikë të jugut shpalosën problemet me të cilat hasen bizneset në zonat bregdetare.

"Të gjithë bizneseve, sidmos në Lungomare na ka shqetësuar shumë rritja e SPL-së, taksës së pastrimit dhe lajmi që na ka shokuar më tepër është se energjia elektrike do trefishohet."

"Kemi 1001 probleme nga personeli te kostot e rritura."

"Nafta po shkon te 2 mijë lekë litri."

Ervin Sota që kandidon për të zëvendësuar Vasil Bedinajn e dorëhequr ishte kritik ndaj bashkisë së Vlorës drejtuar nga Dritan Leli, i cili së fundmi u rriti taksën e pastrimit.

"Bashkia e qytetit Vlorë duhet të tregojë dinjitetin e saj, të shikojë interesat e bizneseve në Vlorë."

Kreu i Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Rrahman Kasa, nga ana tjetër theksoi indiferentizmin e qeverisë përballë shqetësimeve të biznesit.

Gjatë mbledhjes, operatorët turistikë të jugut zgjodhën Bordin e ri drejtues, ndërsa për kryetarin do të mblidhen brenda 30 ditësh.