Publikimi i pagave dhe targave, Zhilla: Pas gjetjes së autorëve të fshihet informacioni i shpërndarë
Analisti Fabian Zhilla komentoi çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të mijëra punonjësve në shtet dhe privat, temë e cila prej dy ditësh është në qendër të vëmendjes.
Në një intervistë për Ora Neës, me gazetaren Matilda Mcini, është shprehur se publikimi i këtyre të dhënave ka dy lloj dëmesh, prishje imazhi tek personat që i është publikuar paga, por nga ana tjetër shoqëria ka humbur besimin te shteti.
Fabian Zhilla: Ka dy lloj dëmesh, dëmi social, ku mund të krijohet prishja e imazhit të personave që janë ekspozuar për çështje pagash, apo marrëdhëniesh ndërnjerëzore. Dëmi më i madh tjetër është në planin ligjor, ku shoqëria ka humbur besimin ndaj shtetit në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale Ky është një imazh që do dojë kohë të përmirësohet.
Ai thotë se të dhënat personale që janë bërë publike, mund të përdoren nga persona të tjera për të hapur llogari bankare, për të prodhuar dokumente të rreme por edhe për të vjedhur dhe mashtruar.
Fabian Zhilla: Të dhënat personale, mund të përdoren për të hapur llogari bankare,për të prodhuar dokumente ose identitete të rreme, që më pas mund të përdoren për të vjedhur online për të mashtruar, qoftë edhe për të kryer krime të tjera dhe të shmangin autorësinë e autorit të vërtetë. Kjo ekspozon qytetarin e dëmtuar përballë një procesi ligjor që do t’I marrë shumë kohë deri sa të dalë e vërteta.
Këto të dhëna mund të merren të qarkullojnë në për botë, të shiten sikur je blerës, je investitor, dhe ti nuk di fare se është kryer një veprim i tillë.
Zhilla tha se pasi të përfundojë hetimi dhe të gjendet autorët që kanë shpërndarë të dhënat, duhet të bëjmë përpjekje që këto të dhëna të fshihen nga aplikacionet.
Fabian Zhilla: Pasi të përfundojë hetimi dhe gjetja e autorëve duhet menjëherë që të përpiqemi që ta pastrojmë këtë informacion nga rrjetet pasi është shpërndarë nëpërmjet Whatsaap-it. Informacioni mund të fshihet informacioni nga rrjetet. Duhen parë një sërë masash dhe nuk e dimë se çfarë të dhënash mund të dalin, por unë shoh se deri në këtë moment Prokuroria ka nisur hetimet.
Ndër të tjera ai u bën thirrje qytetarëve, se nëse i kanë të dhënat të mos i shpërndajnë tek të tjerët pasi kjo na ekspozon drejt rrisqeve.
Fabian Zhilla: Qytetarët dhe mediat nuk duhet ta shpërndajnë këtë lloj informacioni, dhe nuk mund të kthehet në një shaka pasi është gjë serioze. Është shkelje ligjore që këto të dhëna të përhapen, qytetarët nuk duhet t’i shpërndajnë. Kjo na ekspozon në rrisqe që do të jenë shumë të vështira të kontrollohen.
