Meta uron besimtarët e krishterë: Secili prej nesh ka mundësinë të jetë shembull i shpresës

Presidenti Ilir Meta ka uruar sot besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se mesazhi i përjetshëm i dashurisë që nuk shuhet kurrë i bën bashkë të gjithë njerëzit.

Meta thekson se në këto vigjilje secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë në rrugën drejt shpresës dhe besimit për një jetë më të bukur.

Mesazhi i Metes

Nga zemra u uroj sonte GËZUAR KRISHTLINDJEN besimtarëve të krishterë dhe mbarë popullit shqiptar!

Mesazhi i përjetshëm i dashurisë, i dritës që nuk shuhet kurrë dhe i shpresës së pakufishme të kësaj feste, që na bashkon të gjithëve, prek dhe ngroh zemrat tona, duke sjellë më shumë lumturi dhe gëzim në çdo vatër familjare, na jep forcë përballë sfidave aktuale, na mbush me shpresë për ditët më të mira që ende nuk kanë ardhur.

Lindja e Krishtit i jep kuptim jetës brenda nesh dhe besimit për një të nesërme më të mirë, në paqe, dashuri dhe mirëqenie, na frymëzon e na bën më solidarë që të mos i harrojmë, të kujdesemi dhe t’u zgjasim dorën me përulësi atyre që kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje materiale dhe shpirtërore.

Ndërsa familjet dhe miqtë mblidhen sonte për të festuar, të mos harrojmë se secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë, në rrugën drejt shpresës, besimit për një jete të bukur, një familje të bekuar, një shoqërie të paqtë e të shëndetshme!

Për shumë mot GËZUAR KRISHTLINDJEN!

Po ashtu një urim për besimtarët e krishterë ka përcjellë edhe Kryetarja e Kuvendit,  Lindita Nikolla

“Krishtlindja është një ndër festat më të bukura të njerëzimit. Besimtarët e krishterë ndajnë gëzimin, dashurinë, mirësinë, shpresën dhe besimin me njeri-tjetrin, por edhe me besimtarët e tjerë, me të gjithë qytetarët.

Është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin, drita tret errësirën, e mira largon të keqen, shpresa fiton mbi vështirësitë. Edhe këtë vit, kjo festë e bukur kremtohet nën kufizimet e pandemisë. Bashke me urimin, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për besimtarët e krishterë si edhe besimtarët, komunitetet e institucionet e tjera fetare, për mbështetjen dhe solidaritetin ndaj qytetarëve gjatë kohëve të vështira të pandemisë. Le të mësojmë, të inspirohemi e udhëhiqemi të gjithë  nga shpirti i sakrificës, tolerancës, humanizmit dhe solidaritetit.  Krishtilindje të gëzuar!”