Fruta-perime të lira, por s'ka lekë, qytetarët dhe tregtarët në Fier “braktisin” tregun
Fundviti në tregun e fruta-perimeve në Fier këtë vit ka shënuar një ulje të çmimeve të produkteve, por pavarësisht kësaj, përsëri vihet re një numër i ulët blerësish, kjo për shkak të vështirësive ekonomike. Për situatën ankohen edhe tregtarët, disa prej të cilëve janë detyruar të braktisin tregun për shkak të qirasë së lartë dhe çmimeve të ulëta.
Megjithëse çmimet e frutave dhe perimeve në Fier kanë shënuar ulje krahasuar me një vit më parë, tregjet thuajse janë boshatisur nga blerësit.
Në lidhje me situatën ankesa kanë tregtarët, të cilët thonë se çmimet janë tepër të ulëta dhe aspak përfituese për ta.
Tregu i Fierit është boshatisur e tezgat kanë mbetur bosh, nga 35 tregtarë që kanë qenë, 15 janë larguar, e një prej arsyeve është edhe qiraja e lartë.
"Çmimet vjet me sivjet janë si nata me ditën. Vjet kanë qenë shumë shtrenjtë, ka pasur fuqi blerëse më shumë, sivjet nuk ka. Malli është përtokë, gjysma e rinisë ka ikur, këta që janë këtu s'kanë lekë."
Qytetarët nuk arrijnë dot të blejnë produktet e shportës bazë, e më shumë në vështirësi janë pensionistët, këtë herë jo nga çmimet e larta, por për shkak të vështirësive ekonomike.
"Nuk janë shumë të shtrenjta."
"Të përballueshme."
"Erdha me 10 mije lek, ja çfarë mora."
Kjo është një situatë e përvitshme në tregun e Fierit, ku ankesat janë nga të dyja anët, tregtarët dhe blerësit, por pavarësisht kësaj asgjë nuk ndryshon.
