Goditet “mafia” e Call-Centerave, arrestohet në Tiranë biznesmeni izraelit Rafael Genish
35 persona mes tyre edhe një biznesmen izraelit janë arrestuar nga policia pasi nëpërmjet mashtrimit me Call Center kanë arritur të përftojnë shuma të konsiderueshme parash. Policia njofton se bëhet fjalë për kompaninë RG General e cila vepronte në Tiranë ndërkohë që denoncimet për vjedhje janë kryer nga disa vende të ndryshme të botës. Në total rastet e mashtrimit kapin shifrën e 2 milionë personave.
Një rrjet kriminal që ka mashtruar mbi 2 milion persona përmes aktiviteteve të Call Center është zbuluar dhe goditur nga policia e prokuroria shqiptare.
Biznesmeni izraelit Rafael Genish, pronari i kompanisë “RG General” dhe 34 persona të tjerë janë vënë në pranga, ndërkohë që hetimi ka nisur pas 2400 denoncimeve nga autoritetet gjermane, franceze dhe italiane.
Aktiviteti kriminal kishte të bënte me mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet rrjetit kompjuterik nëpërmejt Call Centerit.
Sipas drejtorit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, kompania e Call Center përdorte të dhëna personale të shtetasve të huaj që më pas i mashtronin dhe përfitonin prej tyrë shuma të konsiderueshme.
Gjatë kontrolleve të ambjeteve të kompanisë policia sekuestroi 123 pajisje kompjuterike, 60 pajisje të telefonisë së lëvizshme, 3 laptop, 2 USB, karta të bardha të ngjashme me ato të bankave, një sasi e vogël lënde narkotike e llojit cannabis sattiva.
Kompania që ka kryer aktivitetin kriminal "RG Capital" ndodhet në katin përdhes të një pallati në rrugën "Rim Kolli" në kryeqytet.
Kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj, tha se po vijojnë hetimet edhe për raste të tjera të dyshuara.
Pak javë më parë 8 persona u arrestuan dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim pas një hetimi të ndjekur nga krimi kibernetik në lidhjë më mashtrimet nëpërmjet Call Centerave që janë kthyer në fenomen shqetësues vitet e fundit.
