Prag tragjedie në Shëngjin/ Shkëmbi disatonësh bie mbi shtëpi, mrekullia shpëton familjen

Mrekullia i shpëtoi katër anëtarët e një familje në Lezhë, pasi një shkëmb disa tonësh u shkëput nga mali e përfundoi mbi banesë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10 të paradites të premtes dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar pasi banorët e shtëpisë nuk u gjendën aty.

Përndryshe, siç tregojnë pasojat rrezikohej një tragjedi në prag të Krishtlindjes.

Dëshmitarët tregojnë se para se gurët të rrokulliseshin mbi shtëpi u dëgjua një zhurme e ngjashme si shpërthim.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu pasi inspektoi zonën, foli për evakuimin e mundshëm të gjithë banorëve dhe vendosjen e barrierave në mal për të shmangur rrezikun që mbetet i pranishëm!

Pjerin Ndreu: "Kjo ndodhi pikë se pari na ve neve para përgjegjësisë që ta shikojmë me vëmendje situatën këtu , duke parë shtëpinë, ta riparojmë që të bëhet e banueshme, ose të akomodojmë personat në një vend tjetër deri sa ne të bëjmë inspektimet e duhura. Masat e para që do merren është bërja e raportit të emergjencave dhe të ndërhyjmë në riparimin e menjëhershëm të shtëpisë.

Do të bëjmë verifikimin e gjithë banesave që janë përreth për të parë nëse janë të legalizuara apo me çfarë dokumentesh janë. Do presim raportin e emergjencave për shkak edhe të një situate tjetër që mund të vijë në të ardhmen dhe mund të shkojmë  deri te evakuimi i të gjitha banesave në këtë zonë të rrezikshme."

Në tetor të vitit 2017-të rënia e një masivi shkëmbor sipër një makine në ecje, u mori jetën 2 vëllezërve dhe nuses së njërit prej tyre shtatzëne.

Fenomeni i rrëshqitjes së gurëve është shfaqur frikshëm në disa zona të bashkisë Lezhë, ndërsa deri tani ka munguar ndërhyrja.