Protestë për mbrojtjen e shtëpive, në Laprakë dhe te 5 Maji banorët kërkojnë shpronësim e transparencë
Nga gomat e djegura në Laprakë te qirinjtë dhe lutjet në "5 Maj". Kështu protestuan pasditen e të mërkurës në kryeqytet banorët, shtëpitë e të cilëve preken nga projektet infrastrukturore dhe të rindërtimit.
Në Laprakë, ku Unaza e Madhe rrezikon shëmbjen e 700 ndërtesave, banorët kërkuan transparencë nga institucionet.
"Kur do shemben banesat tona, ku do të shkojmë, çfarë do na japë shteti? Nuk po i kërkojmë shtetit asgjë më shumë, vetëm informacion."
Kanë katër muaj që protestojnë dhe nuk e dinë ende se ku do të shkojnë pasi shtëpitë e tyre të prishen nga fadromat e shtetit. Nëse nuk ua japin, drejtësinë do ta kërkojnë vetë.
"Kush vë dorë në pronën time që e kam ndërtuar me djersë, nuk e kam vjedhur, do ta zbatoj Kanunin meqë ju shkelni Kushtetutën."
Disa kilometra më tej, në zonën e "5 Majit" banorëve nuk u ka mbetur gjë tjetër përveç besimit në Zot. Shteti i ka braktisur ndaj ndezën qirinj dhe drejtuan lutje për mbrojtjen e pronës.
Mesha u mbajt në rrënojat e shtëpive të shembura disa ditë më parë, ndërsa banorët vijojnë të kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë e tyre.


