Shkëmbi: Të gjithë kemi gabuar, Dinamo nuk është për pjesën e poshtme të renditjes

Dinamo do ta mbyllë vitin 2021 me një sfidë shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut në “Elbasan Arena” ku edhe pse ekipi ka patur pretendime për Europën, fillimisht duhet të arrijë mbijetesën. Vetë trajneri Shkëmbi bëri një bilanc të skuadrës dhe të mungesave për këtë sfidë duke pranuar edhe presionin e madh.

 

Ne kemi triumfuar në ndeshjen e parë me Skënderbeun por jemi të vetdijshëm për vështirësinë, jemi me pikë të barabartë dhe kjo tregon gjendjen tonë, por edhe meritën e kundërshtarëve. Imami e ka humbur këtë ndeshje, edhe Mihana është me temperaturë. Sofranak nuk është në gjendje optimale, por është një moment ku nuk ka justifikim dhe të japim mbi maksimumin për ta mbyllur me sukses këtë vit. Gabimet që kemi bërë janë në vazhdimësi, është fati, mungesat por edhe paaftësia jonë. Vijmë në një moment që nuk e kishim menduar, por nuk kemi pse e kthejmë kokën. Një tre pikësh do të na bënte të ndiheshim më të qetë për të ardhmen. Presion i madh? Në futboll ka gjithnjë presion, nuk mendoj se ky ekip është i ndërtuar për zonën e poshtme. Mendoj se nuk do të luftojmë për pjesën e poshtme të klasifikimit, por këtë mund ta arrijmë vetëm duke fituar në fushë se asgjë nuk arrihet me fjalë dhe dëshirë”.

 

Më pas Bledi Shkëmbi e pranon se dëmtimet e gjata kanë penalizuar skuadrën por tha se të gjithë te Dinamo bashkë me të kanë gabuar.

 

“Lista e pritjes sonë është e gjatë pasi në shumë pak ndeshje e kemi pasur grupin e plotë. Shpresojmë që në vitin tjetër të jemi të plotë dhe jam i bindur se skuadra do të shprehet më mirë. Pas një minifaze lojtarët do të jenë më mire. Në futboll flasin rezultatet, kemi zhgënjyer të gjithë nisur nga unë i pari. Patjetër që ka edhe futbollistë që i mendonim ndryshe dhe kanë dalë ndryshe. Pas kësaj ndeshje mund të bëjmë edhe një analizë më të gjerë”, deklaroi trajneri i Dinamos në konferencën para gazetarëve./Ora News/.