"Zgjoi" Filmi artistik nga Kosova pranë nominimit për çmimin Oscar

Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë të 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimeve “Oscar 2022”.

Filmi është frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes. Por ajo përballet me një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.

Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në “Sundance Film Festival”. Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një sukses të tillë, pas filmit “Shok” në 2016.

Pjesë e listës janë edhe filmi autobiografik i regjisorit italian Paolo Sorrentino, “The hand of God”, “Drive my Car” Japoni, “Prayers for the stolen”, Meksika, etj.

Pesë të nominuarit përfundimtarë do të shpallen më 8 shkurt 2022. Historikisht, vendet me industri të njohura të filmit Italia, Franca, Spanja, Japonia, Danimarka, Suedia, Holanda, Gjermania, Zvicra, Austria etj kanë fituar më së shumti nominime dhe fitore ndër vite.

Edicioni i 94-të i Çmimit Oscar mbahet më 27 mars, 2022.