Presidenti nderon Gëzim Tushin me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Sociologu, Gëzim Tushi, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin për ndikimin pozitiv dhe studimet që ka bërë në 30 vite tranzicion të shoqërisë shqiptare. Tushi u shpreh se edhe në të ardhmen e presin të tjera projekte.

Vëzhgues i kujdesshëm në tranzicionin e shoqërisë shqiptare. Kështu e konsideroi presidenti Ilir Meta sociologun Gëzim Tushi, të cilin e vlerësoi me titullin Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut.

Titulli në fjalë i shkoi veçanërisht për kontributin e tij si studiues në përballimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit.

Autor i 20 librave, puna e Tushit u konsiderua me ndikim pozitiv qoftë në çështjet e emancipimit të gruas, ashtu edhe me institucionin e familjes.

"Ngjarjet e dy viteve të fundit bënë që sociologu Gëzim Tushi të përqëndrohej në dy aspekte, efeket e pandemisë në Covid 19 në jetën sociale, punë, shkollë, në marrëdhëniet , traditat dhe zakonet e jetës si dhe në analizën e  gjerë të fenomenit shqetësues të krimit dhe vetëvrasjes në Shqipëri."

I nderuar nga vlerësimi i Presidentit, sociologu Gëzim Tushi  tha se të tjera sfida e presin në të ardhmen.

"Kam akoma një të ardhme përpara drejt së cilës besoj se do të vazhdoj të eci me besim, i sigurt në forcat e mia për të realizuar projekte të reja."

Në këtë ceremoni, Tushi nuk harroi të jepte dhe këshillat e tij.

"Jeta e njeriut është si të ngasësh biçikletën. Për të ruajtur ekuilibrin, për të ecur shpejt dhe për të mos u rrëzuar prej saj duhet të jesh në pedalim të vazhduar."