Aktori Neritan Liçaj : Shoqëria jonë e mpirë, në vendin tonë ka humbur shpresa
Këtë pasdite ne emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora ishte i ftuar aktori i njohur dhe shumë i dashur për publikun Neritan Liçaj. Aktori rrëfeu për publikun shqiptarë angazhimet e tij kohët e fundit, përvojën në shfaqjen “Vagon”, që pritet të dal së shpejti dhe së fundmi ai nuk nguroj të prek edhe pjesën e pandemisë, sesi kjo e fundit ndikoj dhe e dëmtoi botën e artit.
“Publiku vjen në teatër sepse, aty ai gjen veten, prandaj edhe e do atë”, kështu është shprehur aktori për marrëdhënien e ngushtë mes aktrimit dhe fansave të tij.
Për shfaqjen “Vagon” që pritet të dal për publikun së shpejti, Liçaj u shpreh se “Vagon” është një dramë që trajton marrëdhënien prind-fëmijë, babë e bijë.
Ai gjatë emisionit u ndal edhe tek pandemia, sesi kjo ka ndikuar në botën e artit. Sipas tij, pezullimin dhe mbylljen e arteve për një kohë të gjatë e cilësoi si diçka absurd.
“Periudha e pandemisë ishte e dhimbshme. Mungesa e skenës në mbyllje atë periudhë për mua ishte absurd, pasi qeveria shqiptare mbylljen e zgjati pak si shumë. Vendet në rajon, por dhe në Europë i hapën teatrot, në mënyrë të kufizuar, ndërkohë që kinematë ishin të hapura. Që këto të dyja për publikun janë njëlloj, atëherë kjo për mua është absurd që u zgjatën aq shumë teatri mbyllur. Këta tanët e duan shumë Teatrin, aq shumë saqë I dërguan 1500 forca policie, kjo tregon se e duan aq shumë”, u shpreh aktori Liçaj.
Ndërkohë, aktori i njohur ndër të tjera u shpreh se në vendin tonë ka humbur shpresa, pasi vetë njerëzit janë të mpirë.
“Ne jemi popull shumë i bukur, por i gjakosur pasi ne kemi shumë probleme. Ne jemi popull me tradita, histori shumë të bukura. Por, për aq kohë sa ne presim që politika të na i bëj gjërat dhe ne të rrimë nuk kemi për të pasur asnjëherë asnjë lloj përfitimi. Politika tek ne është vetë abuzuese, dhe qytetarët mbyllin gojën. Në momentin që qytetari fle, politika të këput. Madje kanë edhe këto shprehjet që unë nuk merrem me politikë, epo mirë se merret ajo me ty. Shoqëria sot është e mpirë, këtu tek ne ka humbur shpresa”, u shpreh artisti Liçaj.
