Orët e qyteteve e kulla mbi sahate, 31 vitet e tranzicionit, betonizim e shkatërrim i arkitekturës
Përballë betonizimit të qyteteve gjate viteve te tranzicionit, studiuesi Dritan Çoku rikthen përmes një botimi, trashëgiminë historike dhe arkitekturore. Ne Shqipëri 21 qytete kane pasur kulla sahati.
Shqipëria e pas viteve 90’ pësoi transformime të mëdha e për fat të keq kaotike, duke bërë që një pjesë e identitetit kombëtar të zhduket.
Tirana e viteve të fundit është shembulli më i keq.
Mes batërdisë ndërtimeve dhe monstrave të betonit që synojnë lartësitë, është bërë e vështirë të evidentosh pasuritë arkitekturore të trashëguara.
Studiuesi Dritan Çoku e mori përsipër këtë mision.
Ai ka sjellë në një vëllim voluminoz prej 400 faqesh, “Kullat e sahatit në Shqipëri – historia dhe arkitektura”.
Një kapitull i veçantë është pasqyrimi që autori i bën shkatërrimit të një pjese të madhe të këtyre objekteve, në 31 vite tranzicion.
Në vendin tonë kanë qenë ndërtuar kulla sahati në njëzet e një qytete.
Dhjetë prej tyre janë ngritur në rrënojat e kullave të vjetra të kalave, katër në pazare, katër pranë xhamive kryesore dhe tre në zona të tjera të qyteteve.

