“Makbeth” në vilën e ish-diktatorit Hoxha, aktori Trebicka: Ja kush u bë shtysë që të futem në art

Aktori dhe regjisori i njohur Alfred Trebicka ishte i ftuar këtë pasdite në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora për të folur rreth shfaqjes “Makbeth”, një shfaqje që po jepet në vilën e ish diktatorit Hoxha.

Aktori i njohur rrëfeu për publikun, personin i cili e frymëzoi dhe shërbeu si shtysë për t’iu futur botës së artit. Ai tha se personi nuk është nga trungu familjarë, pavarësisht lidhjes së fortë që kishte pasur me të, pasi ai tashmë nuk jeton më.

“Unë jam rritur në një familje që merrej me artin. Por, kjo nuk do të thotë se ishin këto ata që ndikuan që unë të merresha me aktrim. Ka qenë një person, që nuk ka lidhje me familjen, pra nuk është anëtarë i familjes time ai që ka qenë shtysë që unë t’i futem botës së artit. Ne ishim shumë të lidhur bashkë, se tashmë ai nuk jeton më. Pra ai është edhe frymëzuesi dhe mentori për t’më futur në këtë rrugëtim. Bëhet fjalë kur kam qenë 12-13 vjeç, në atë moshë kur nuk je as i orientuar se çfarë do të bëhesh kur të rritesh”, u shpreh Trebicka.

Pyetjes së drejtuar nga moderatorja Ana Kallaku, se pse pikërisht shfaqja po jepet në vilen e ish-diktatorit Hoxha, aktori Trebicka u shpreh se ndonjëherë gjërat vijnë në mënyrë rastësore. Pasi, sipas tij nuk ka qenë e projektuar shfaqja e “Makbeth” në atë ambient, por më vonë e panë si mundësi.

“Ky projekt nuk ishte menduar që do transmetohej në vilën e ish- diktatorit Hoxha. Por, “Makbeth” vjen nën regjinë time dhe të regjisorit Enton Kacames. Duke qenë se e njoh mirë Eltonin, atij i pëlqejnë ambientet narrative. Në këtë mënyrë lindi si ide ky vend,  pasi ne kishim menduar një ambjen të tillë, nuk donim në skenë teatri apo diçka klasike. Kur na doli ky variant që mund të jetë një ambjent për shfaqjen “Makbeth”, e pamë si mundësi. Ndonjëherë gjërat janë rastësore. Në atë vend nuk do të lëvizej asgjë, ne do të luanim në atë vend pa lëvizur objektet. Përveç karrigeve apo tavolinave” u shpreh Trebicka.

Ndër të tjera gjatë emisionit, aktori dhe regjisori i njohur u ndal edhe në një veçori shumë domethënëse për ne si komb, pikërisht tek ‘Gjuha’.

Ai tha se një grup njerëzish gjuhën e Nolit, në ditën e sotme e konsiderojnë të vjetruar, ndërkohë sipas tij kjo është thjeshtë një pasuri.

“Ka një grup njerëzish që thonë se gjuha e Nolit është e vjetruar, absolutisht unë jam kundra kësaj. Qoftë e Shekspirit, Makbethit apo e Nolit në këtë rast, nuk është gjuhë e vjetruar, përkundrazi është e pasur, por ne e kemi neglizhuar e lënë pas dore”, tha ndër të tjera artisti Trebicka.