"Beteja" për rrugën e Komanit, banorët e Vaut të Dejës paralajmërojnë protesta: Benet Beci mashtroi

Anulimi i rikonstruksionit të rrugës së Komanit ka ngritur banorët e zonës kundër qeverisë dhe deputetit Benet Beci që u premtoi ndërhyrjen e shumë pritur në kohë fushate.

Ata i shkuan në zyrë kryetarit të bashkisë Vau Dejës Mark Babani ku i kërkuan lobim për zbatimin e projektit, pasi në të kundërt paralajmëruan valë protestash.

"Problemi i parë në qeveri duhet të jetë rruga e Komanit ose do të ketë pasoja, protesta. Ne nuk do ta ndalim me kaq."

Edhe pse të thirrur në takim, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali dhe deputeti Benet Beci nuk u paraqitën.

Për banorët mungesa tregoi se deputetet e premtuan rrugën vetëm për vota.

"Sa herë vijnë zgjedhje, hipin në karrige edhe..."

Shqetësimit për gjendjen e rrugës i është bashkuar edhe kryebashkiaku Babani i cili kërkon që ndërhyrjen ta financojë KESH.

"30 vjet thjesht kanë marrë energji prej këtyre hidrocentraleve," tha Babani, kryetar i bashkisë.

Për protestat e paralajmëruara nga banorët, ai ka këtë qëndrim.

"Më tepër si sensibilizim se sa si zgjidhje," tha kryebashkiaku.

Tenderi me vlerë 25 milion dollarë për rikonstruksionin e rrugës së Komanit u anulua me arsyetimin e krizës energjitike.