Në pritje të 3 shteteve të tjera, BE “bekon” Open Balkan: Përfiton edhe unioni
Pasi dështoi të gjejë konsensusin brenda unionit për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, BE mendon se zgjidhja më e mirë për rajonin është Ballkani i Hapur.
Bekimin per Ramën, Vuçiç dhe Zaev e dha në mënyrë virtuale eurokomisioneri për zgjerimin Oliver Varherly gjatë takimit të tre liderve në Tiranë.
Varherly: Çdo bashkëpunim rajonal jo vetëm është i mirëpritur por është në të mirë të të dyja palëve, të Ballkanit dhe BE-së. Ju të tre vazhdoni dhe duhet të vazhdoni dhe shpresoj që të tre të tjerët të bashkohen shumë shpejt sepse pa këtë plani ekonomik i investimeve nuk do të jetë në gjëndje tju sjellë përfitime në rajon. Megjithatë nuk e fsheh keqardhjen time për faktin që ende nuk e kemi mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë".
Nismëtarët e Open Ballkan u bënë sërish apel Prishtinës, Podgoricës dhe Sarajevës që t’u bashkohen pasi sipas tyre kjo do te shënojë të ardhmen e rajonit.
Rama: Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të ecim përpara.
Vuçiç: Të them të drejtën më ka ardhur pak në majë të hundës që na duhet të japim justifikime sikur ne kemi bërë ndonjë gjë të gabuar.
Ndërsa Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në ditën e fundit të punës, i dha një mesazh Perëndimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dinë edhe të bashkëpunojnë.
Zaev: Kjo nismë u tregon të gjithëve se ne vendet e Ballkanit Perëndimor dimë të punojmë së bashku.
Rama: U thye një gotë dhe në traditën tonë syri i keq sa mori një goditje. Ky është lajm i mirë për Ballkanin e Hapur.
Në konferencën për shtyp, mes tre liderve vëmendjen kësaj radhe e mori Presidenti Vuçiç, i cili fillimisht kërkoj nga shqiptarët te lënë pas paragjykimet për Beogradin.
Vuçiç: Qytetarët e Shqipërisë, dhe Maqedonisë së Veriut, dua t’i mirëpres në Serbi, dua ta shihni si një shtëpi tuajën të dytë sepse edhe ne dëshirojmë të ndihemi të tillë në Tiranë dhe Shkup. Duhet të heqim barrierat që mos të kemi më kufij.
Dhe më pas tregoi që për hir të Open Ballkan është i gatshëm të bashkëpunojë me Kosovën.
Vuçiç: A do të jetë më e lehtë për shqiptarët e serbët nëse nuk do kishte kufij apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht? Nuk besoj që ka njeri në Prishtinë apo Beograd që nuk do të binte dakord me këtë që po them. Statusi politik i Kosovës i takon tryezave të Brukselit, kurse për çështjet ekonomike jemi të hapur të bashkëpunojmë me Kosovën.
Presidenti serb nuk u kurseu as në bërjen publike të skenareve të diplomacisë.
Vuçiç: Ku erdha në Shqipëri e pashë se Ramës iu kundërvunë për iniciativën e Ballkanit të Hapur, apo për ato që thonë se dua një Serbi të Madhe, apo për një Shqipëri të Madhe kjo nismë nuk ka të bëjë as me njërën dhe as me tjetrën e as me një Maqedoni në Madhe. Këshilltarët e mi zyrtarë dje më thanë se kemi zgjedhje në 3 muaj që të mos vija se u dogj flamuri, por edhe Rama erdhi në Beograd kur ndodhi e njëjta gjë. Si është e mundur që të mos tolerojmë?Jemi këtu për të ndërtuar ura jo të gjejmë kush djeg më shumë flamuj.
Në fund te shkurtit do të mbahet takimi i radhës i Open Balkan në Maqedoninën e Veriut, ndërsa në fund të pranverës liderët do të takohen në Beograd.
Gjatë këtij samiti mbledhja e Ramës, Vuçiç dhe pasardhësit të Zaev do të shoqërohet edhe me një panair vere. Deri në atë kohë Presidenti serb mund të keë mundësinë të mësojë edhe ndonjë fjalë shqip.
Vuçiç: Për fat të keq nuk e flas dot shqipen, do më duhet ta mësoj.

