Brenga e studentëve: Vetëm 7% qëndrojnë në konvikte, harxhojnë më pak për libra
Ushqimi dhe pagesa për strehim zënë peshën më të madhe të shpenzimeve financiare të një studenti në kryeqytet.
Sipas një studimi të qëndresës qytetare me studentët e 5 universiteteve në Tiranë, ata shpenzojnë deri në 150 euro në muaj për akomodim, dhe deri në 210 euro për tu ushqyer. Sipas sondazhit një student në Tiranë shpenzon mesatarisht një total prej 324 euro në muaj.
"324 euro që i duhen në muaj, 60% e kësaj shifre shpenzohet për akomodim dhe për ushqim."
Një tjetër shqetësim është mungesa e konvikteve për studentët. Vetëm 7% e të rinjve kanë arritur të zënë një dhomë ne rezidencat studentore, ndërsa pjesa tjetër janë detyruar të gjejnë banesa me qira.
"Këto godina strehojnë vetëm 7% të numrit total të studentëve që jetojnë në Tiranë."
Prej këtij shqetësimi, sillet edhe një herë në vëmendje mosmbajtja e premtimit të qeverisë për ndërtimin e korpusit universitar. Ndryshe nga ushqimi dhe akomodimi, për libra dhe mjete mësimore, shpenzohet më pakë, 6-20 euro.
Më shumë se gjysmës së studentëve, ose 53.8% prej tyre të ardhurat mujore ja mbulon 100% familja, 38.7% të ardhurat i sigurojnë pjesërisht nga familja dhe nga bursa ose punësimi, ndërsa vetëm 7.5% e studentëve arrijnë ti mbulojnë të ardhurat mujore vetëm nga puna e tyre.

