Bërnabiç reagon pas protestës së Berishës: Politika e tyre e vetme konflikti, jo bashkëpunimi

Protesta e thirrur të hënën nga ish-kryeministri Sali Berisha e cila u mbajt përpara Kryeministrisë kundër nismën ‘Ballkani i Hapur’ ka sjellë reagime nga Beogradi e Mitrovica. Kryeministrja e Serbisë, Brnabiç dhe kreu i Listës Serbe në Kosovë e kanë quajtur të papranueshme protestën kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka reaguar lidhur me protestën e së hënës përballë Kryeministrisë, ku kundërshtohej iniciativa ‘Open Balkan’ me rastin e ardhjes së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Brnabiç ka thënë se disa politikanë, e në këtë rast Sali Berisha dëshiron vetëm konflikte dhe jo bashkëpunim.

Brnabiç: Është e qartë se disa politikanë në rajon nuk mund të shohin një të ardhme ndryshe dhe politika e tyre e vetme është konflikti, jo bashkëpunimi.

Brnabiç duke folur për mediet serbe tha se protesta e thirrur nga Partia Demokratike u mbështet nga disa persona nga Beogradi.

Edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç ka thënë se është e papranueshme që ndërkombëtarët nuk reagojnë për protestën e Partisë Demokratike kundër Ballkanit të Hapur, që sipas tij janë fraksione ekstremiste.

Simiç: Është absolutisht e papranueshme që Brukseli, Berlini e Parisi, të heshtin ndërsa elementët radikalë në Ballkan sulmojnë presidentin Vuçiq dhe kryeministrat Rama dhe Zaev, ndërsa ata përpiqen të tërheqin Ballkanin nga e kaluara dhe nga konflikti.

Simiç në fund të reagimit të tij ka thënë se Ballkani ka vendosur të ecë përpara drejt Evropës.

Të hënën kreu i Parlamentit serb, Ivica Daçiç e pranoi se iniciativa e Ballkanit të Hapur është propozuar nga Serbia.