“Rama fajtor për incineratorët” LSI: Në skandal të gjithë të përfshirë, edhe Erion Veliaj e ministrat

Një grup i strukturuar kriminal fshihet pas aferës së incineratorëve sipas LSI-së. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike Endrit Braimllari deklaron se ka dokumente që tregojnë implikimin direkt të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe ministrave të tjerë të qeverisë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sërish për aferën e incineratorëve duke theksuar se pas saj është një grup i strukturuar kriminal, që ka drejtues vetë kryeministrin Edi Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, ka publikuar dokumente që sipas tij e vërtetojnë këtë akuzë.

Ai thekson se përveç Edi Ramës, në skandalin më të madh korruptiv në vend atë të incineratorëve janë të gjithë të përfshirë si Ministrat edhe Kryetarët e Bashkive.

Kjo është arsyeja, thotë ai, që kryeministri mungoi të hënën në Kuvend për t’u ballafaquar me hajdutërinë e cila e përfshinë drejtpërdrejt atë, Erion Veliajn dhe të gjithë ministrat e tij.

Në këtë kontekst, Braimllari thekson se kryeministri që mban me orë fjalime në kuvend, u shfaq me gojën e mbyllur përballë nga kallëzimet e LSI-së, sepse e di shumë mirë që përgjegjësia e korrupsionit me incineratorët nuk është individuale, por kolektive si një grup i strukturuar kriminal që ka një drejtues që quhet Edi Rama.

Në mbyllje të reagimit, Endrit Braimllari thekson se LSI do të vazhdojë të bëjë publike fakte të tjera të skandalit të incineratorëve dhe nuk do të ketë seancë plenare apo show mediatik që ta shpëtojë nga përgjegjësia Edi Ramën, ministrat dhe kryetarët e tij të bashkive.