"Open Balkan mbjell konfliktualitet", Berisha i drejtohet Bashës si ish-kryetar i opozitës dhe Lulzim Brava
Nga një sallë ngjitur në PD, ish-kryeministri Sali Berisha iu drejtuar sërish Lulzim Bashës si ish-kryetar i opozitës dhe Lulzim Brava.
Teksa falenderoi pjesëmarrësit në protestën e djeshme, Berisha përsëriti edhe njëherë se protesta nuk ishte kundër bashëpunimit rajonal por kundër aleancës trilaterale Rama-Vuçiç-Zaev.
Berisha: Dua të falenderoj me shumë mirënjohje mijëra e mijëra protestues që mbushën mbrëmë bulevardin 'Dëshmorët e Kombit" në një akt historik që nga 1998 të partive politike për interesin e tyre kombëtar. Prej 8 vitesh interesi kombëtar mbeti jetim, u nëpërkëmb dhe u tradhëtua në mënyrën më flagrante nga Edvin Kristaq Rama dhe me heshtje u tradhëtua pothuajse njëlloj nga ish-kreu i opozitës që me program dhe me statut duhet të mbronte këtë interes, Lulzim Brava. PD e rithemeluar mbi vlera konservatore… interesi kombëtar në këtë vend ka një avokat të rëndësishëm në opozitën shqiptare dhe në PD. Edhe njëherë theksoj se kjo nuk është protestë kundër bashkëpunimit rajonal por kundër aleancës trilaterale të Beogradit me vasalët e tij Tiranën dhe Shkupin që nuk mbjell bashkëpunim por konfliktualitet, ushqen nacionalizmat dhe largon Ballkanin nga Europa, vendos hegjemoninë serbe në rajon dhe rajonin si zonë të influencës ruse. Përbën një rrezik serioz po të kemi parasysh që dy vende vasale të Beogradit që janë anëtarësuar në këtë aleancë janë vende anëtare të NATO-s, nga e cila nuk kanë marrë asnjë miratim. Protesta pati jehonë botërore.