Përsëritet skenari me mbledhjet paralele në selinë e PD, Berisha i njofton Bashës shkarkimin si kryetar

Ish-kryeministri, Sali Berisha, i është drejtuar mesditën e së martës selisë së Partisë Demokratike. Teksa Berisha është futur në seli për të zhvilluar mbledhjen me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, në selinë e PD-së ndodhej edhe Lulzim Basha, i cili po zhvillonte një mbledhje strukturat e Partisë.

Nga foltorja e selisë blu, Berisha e njohu zyrtarisht Bashën me vendimin e referendumit për shkarkimin e tij nga detyra, duke shtuar se do të njoftohet edhe me shkrim.

Berisha: Paralajmëroj deputetin Basha të mos imagjinojë dhe mendojë ti kundërvihet vendimit të referendumit. Deputetit Basha do ti dërgohet një shkresë ku do njoftohet me shkrim për këtë vendim.

Po ashtu, ish-kryeministri deklaroi se Komisioni i Rithemelimit të PD-së ka nisur menjëherë nga puna për zbatimin e vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Berisha: Sot Komisioni i Përkohshëm i drejtimit të PD pas diskutimesh të gjera ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit të rithemelimit të PD. Deri me datën 22 mars të gjithë strukturat e kësaj partie duhet në përputhje me ndryshimet statutore të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD në të cilat ata do të vendosin me votën e lirë. Kjo është një punë intensive por energjia dhe përkushtimi i demokratëve është më i madh se kurrë. Demokratët janë të vetëdijshëm që janë në një revolucion të pandalshëm, të një rëndësie jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri. Ata mbeten të gatshëm në çdo kohë për të përmbushur çdo mision, çdo detyrë që do të kërkohet në avancimin e kauzës sonë.

Një ditë pas protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër vizitës së presidentit serb në Tiranë, Berisha nga foltorja në selinë blu nuk i kurseu akuzat ndaj nismës “Open Ballkan” duke i cilësuar Edi Ramën dhe Zoran Zaev si vasalë të Beogradit.

Berisha: Prej 8 vitesh interesi kombëtar mbeti jetim, u nëpërkëmb dhe u tradhëtua në mënyrën më flagrante nga Edvin Kristaq Rama dhe me heshtje u tradhëtua pothuajse njëlloj nga ish-kreu i opozitës që me program dhe me statut duhet të mbronte këtë interes, Lulzim Brava. PD e rithemeluar mbi vlera konservatore… interesi kombëtar në këtë vend ka një avokat të rëndësishëm në opozitën shqiptare dhe në PD. Edhe njëherë theksoj se kjo nuk është protestë kundër bashkëpunimit rajonal por kundër aleancës trilaterale të Beogradit me vasalët e tij Tiranën dhe Shkupin që nuk mbjell bashkëpunim por konfliktualitet, ushqen nacionalizmat dhe largon Ballkanin nga Europa, vendos hegjemoninë serbe në rajon dhe rajonin si zonë të influencës ruse. Përbën një rrezik serioz po të kemi parasysh që dy vende vasale të Beogradit që janë anëtarësuar në këtë aleancë janë vende anëtare të NATO-s, nga e cila nuk kanë marrë asnjë miratim. Protesta pati jehonë botërore.

Lidhur me shoqërimin e protestuesve në polici, Berisha paralajmëroi se nuk do të tolerohet shoqërimi çnjerëzor i tyre në protestat që ai cilësoi si revolucionare.

Berisha: Jam sot këtu për të paralajëmruar narkopolicinë se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor.

Përsëritet skenari me mbledhjet paralele në selinë e PD,