KLSh verifikon tenderin e Ujësjellësit Laç, padit në SPAK 6 funksionarë të bashkisë Kurbin
Nga OraNews Përditësimi i fundit 21 Dhjetor 2021, 12:00
KLSh padit në SPAK gjashtë funksionarë të Bashkisë Kurbin për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar auditim pranë Bashkisë Kurbin për periudhën 01.01.2019 - 30.06.2020.
Nga ky auditim janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish që lidhen me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrjetit të jashtëm e të brendshëm të Ujësjellësit të Qytetit Laç faza I, Bashkia Kurbin”, të cilat bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij.
