Ylli Manjani në protestën e Berishës, ironizon darkën Rama-Vuçiç-Zaev në Elbasan: Po hanë trutë e peshkut për të na shitur trutë e gomarit

Protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër nismës Open Balkan uiu përgjigj dhe aktivisti dhe juristi Ylli Manjani.

Ndërsa ju drejtua protestuesve, Manjani ironizoi darkën në Elbasan të Ramës me Vuçiç dhe Zaev.

Manjani: Nuk kam ardhur për qokë as për patriotizëm, ne nuk jemi patriotë por shqiptarë dhe kjo është më e rëndësishme. Sonte në Shqipëri kanë ardhur mysafirë dhe bashkë me të zotin tonë të shtëpisë po hanë trutë e peshkut për na shitur trutë e gomarit por kjo nuk shkon sepse në trutë e gomarit dhe të gomerëve nuk shkon as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia dhe as Ballkani. Kjo është histori gomerësh dhe gomerët ju e dini ku e kanë vendin.

Praninë e demokratëve në shesh ai e shfrytëzoi edhe për ti përgëzuar për Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin për shkarkimin e Bashës me 18 dhjetor.

Manjani: Përulem para jush me një respekt të thellë për një proces të jashtëzakonshëm demokratik, i keni dhënë Shqipërisë një model që nuk e kishte parë asnjëherë, ju u vetëorganizuat, vetëmblodhët, ju treguat se anëtarët janë më të fortë se kryetarët, aq më tepër me kryetarët gjumashë.

Demokracia në Shqipëri sot ka dy armiq, tha Manjani, faqezinjtë dhe kapuçzinjtë.

Manjani: Me faqezinjtë do të merrem pak më vonë. Por me kapuçzinjtë kam një ftesë. Shkoni në shtëpi se ju presin kalamajtë. Shkoni jepuni fëmijëve tuaj bukë, nder dhe dinjitet, mos i bëni me turp. Sepse nuk e ndalni dot vullnetin e anëtarësisë, vullnetin e popullit shqiptar.