Berisha: Kundër Open Ballkan, projekt i Vuçiç dhe Ramës që kanë rrethuar Kosovën e duan ta asgjësojnë
Këtë të hënë Sali Berisha ju rikthye protestave para Kryeministrisë në Tiranë, këtë herë për të kundërshtuar nismën Open Balkan dhe ardhjen e presidentit të Serbisë në Shqipëri.
Tubimi ishte njoftuar të niste nga selia blu. Mbështetës të Berishës u grumbulluan në oborr me thirrjet "Basha ik!"
Ndërkohë ish-kryeministri zgjodhi të mos hynte në mjediset e brendshme të selisë ku ndodhej edhe Lulzim Basha por u drejtua në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Mbi 2 mijë efektivë të policisë së shtetit, autobote me ujë dhe snajpera në taracën e Kryeministrisë, ishin disa prej masave të marra për mbarëvajtjen e protestës.
Dyert e Kryeministrisë u blinduan ndërsa instalacioni i kërpurdhës, një nga dobësitë e kryeministrit Rama, u largua nga oborri i Kryeministrisë pak para nisjes së protestës.
Në nisje të fjalës së tij Berisha u kujdes të theksonte se protesta nuk ishte kundër bashkëpunimit rajonal por kundër Open Balkan që sipas tij është në dëm të Kosovës.
Berisha: Me këtë protestë ngrihemi në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar dhe shoqërisë shqiptare, kemi mbledhur sot këtu për të protestuar kundër projektit fantazëm të Beogradit-Tiranës-Shkupit. Kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal; ne jemi të angazhuar për një bashkëpunim të frytshëm rajonal në kuadër të integrimit euroatlantik.
Kjo është një protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit përpos Beogradit. Jemi kundër një projekti i cili ëhstë refuzuar nga 3 shtete të Ballkanit dhe është shpallur si kërcënim nga Kroacia. Ky projekt do të vendosë hegjemoninë serbe në rajon. Në fillimit e tij ky projekt donte të mashtronte kombet e Ballkanit dhe më vonë mori emrin Ballkani i Hapur duke nderuar autorin Soros, i cili nuk nguronte të promovonte ndarjen e Kosovës në baza etnike. Ky është një projekt përmes të cilit Vuçiç dhe Rama e kanë rrethuar Kosovën dhe duan t’i asgjësojnë pavarësinë asaj.
Presidentit Vuçiç i tha se nuk është i mirëpritur në Tiranë si udhëheqës i Open Balkan.
Serbinë e cilësoi një Rusi të vogël, që sipas tij, synon rikthimin e destabilitetit në rajon.
Ndërsa për Lulzim Bashën tha se është tradhëtar i çështjeve kombëtare.
Përveç Open Balkan, protesta e të hënës ishte dhe kundër incineratorëve, ku Belind Këlliçi tha se pronar i tyre është Edi Rama.
Tubimi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" zgjati afro një orë e gjysmë, ndërsa protestuesit kërkuan largimin e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nga postet që ata mbajnë.
Të vetmet incidente të shënuara ishte djegia e flamujve kombëtarë të Serbisë, pamje që gjetën pasqyrim dhe në mediat serbe.
Policia njoftoi se do të ketë shoqërime në komisariat.
Ish-kryeministri Sali Berisha u kërkoi mbëshetësve të tij të qëndrojnë të vendosur dhe paralajmëroi protesta të tjera.

