Korrupsioni, më pak zyrtarë të dënuar, drafti i ministrisë së Drejtësisë: Asnjë politikan i lartë i ndëshkuar

Pavarësisht reformës në drejtësi dhe shpresave për luftë të ashpër ndaj korrupsionit, numri i politikanëve që janë dënuar për korrupsion kohët e fundit është zero.

SHBA ka kërkuar disa herë që të shkohet te zyrtarët e lartë, ndërsa BE e ka vënë kusht për negociata, por duket se deri më sot i vetmi emër i njohur i dënuar është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa sa i takon politikës nuk ka asnjë në vitet e fundit.

Ministria e Drejtësisë ka publikuar raportin statistikor për luftën ndaj korrupsionit deri në vitin 2020 dhe tregohet se numri i dënimeve pas miratimit të reformës në drejtësi ka qenë i ulët.

Ajo që bie në sy është se për veprën e fshehjes dhe mos deklarimit të pasurisë, nuk ka asnjë politikan a zyrtar të lartë të dënuar.

ILDKP çdo vit padit me dhjetëra zyrtarë, përfshirë dhe krerë bashkish, deputetë dhe zëvendës ministra, por të gjithë ia kanë hedhur paq në Prokurori e Gjykata duke mos u dënuar.

Favori i tyre është se ILDKP dhe Prokuroria kanë vendosur të fshehin emrat e gjetur me shkelje dhe kjo lejon që të kalojnë në heshtje pushimet e hetimeve.