Mbyllet sesioni parlamentar, mazhoranca e vendosur kundër Ilir Metës, rrëzon sot 4 dekrete të Presidentit

Kuvendi do të mbyllë ditën e sotme sesionin parlamentar për këtë vit. Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe kjo do të jetë seanca e fundit që do mbahet për vitin 2021, ndërsa sesioni i ri parlamentar pritet të nisë gjatë muajit janari të vitit 2022.

Ndërkohë, në seancën e sotme plenare do të shqyrtohen një sërë projektligjesh, po ashtu do të shqyrtohen edhe 4 dekretet e presidentit Ilir Meta.

Por, duket se mazhoranca është e vendosur për t’i rrëzuar dekretet e presidentit. Ato janë: Dekreti “Për bashkëqeverisjen” , dekreti “Për buxhetin e vitit 2022”, dekreti “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, si edhe dekreti i presidentit për taksat kombëtare.

Ndërkohë, kujtojmë se pak kohë më parë presidenti Ilir Meta, riktheu në Kuvend për rishqyrtim, ligjin për bashkëqeverisjen duke e shoqëruar dekretin e tij me një sërë argumentesh ligjor.

Në një relacion të gjatë shoqërues, presidenti argumenton se ligji shkel Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor, krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash ndërmjet tyre duke shkelur sigurinë juridike, si edhe bie ndesh me Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

 

Dokumenta bashkëngjitur