Basha pas Kuvendit: Berisha është vetëpërjashtuar. Të hipë e zbresë shkallët e selisë sa herë të dojë
Ndërsa Berisha deklaroi shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike është e përgatitur për çdo situatë. Ai hodhi poshtë deklarat e Berishës se po mbrohet nga Garda dhe RENEA.
Në ndarjen që thellohet çdo ditë, Basha e Berisha dëshmuan të shtunën, të paktën publikisht, se kanë vetëm një përceptim të njëjtë, atë për Partinë Demokratike. Të dy e quajnë shtëpia e lirisë.
Të dy ata nuk e njohin njëri-tjetrin për pozicionet që kanë në parti. Pak minuta pasi Berisha shpalli shkarkimin me referendum të Bashës, ky i fundit iu kundërpërgjigj duke thënë se ish-Kryeministri nuk i përket më kësaj partie.
Lulzim Basha: Sali Berisha është përjashtuar si anëtar i grupit parlamentar, si anëtar i Këshillit Kombëtar, për shkak të vendimit të Kuvendit Kombëtar. Rrugët e Sali Berishës me organet drejtuese janë të ndara. Me veprimet e tij është vetë përjashtuar. Sa herë hip e zbrit shkallët nga selia është puna e tij. Detyra jonë është që çdo demokratë që ka interesat e PD dhe sakrificat e tij apo të saj të shenjtë, të jemi të bashkuar ndaj regjimit të Edi Ramës, që është burim i çdo të keqeje. Berisha mund të thërrasë protesta kundër Blinken, kundër kujto që mendon ai, mund të krijojë organizata me drejtim anti-amerikan. Mund të bëjë ç’të dojë, por nuk do jetë më pjesë e organeve drejtuese të PD. Është i përjashtuar për shkak të vendimit të Kuvendit Kombëtar. Do të jetë anëtar, deri sa të gjykohet se ai dëmton rëndë interesat politike dhe morale.
Deri tani sjellja e tij është qesharake. Vendimi që kemi marrë është që të mos lejojmë më shfokusim, por të fokusojmë të gjithë energjitë tona, të organizojmë të gjithë potencialin e nevojshëm, dhe të përgatisim betejën frontale me regjimin që po ia bënë jetën ferr shqiptarëve, qeverinë e Edi Ramës.
Këto deklarata Basha i bëri gjatë një komunikimi me gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së dhe grupit parlamentar.
Akuzave të kundërshtarit se ruhet nga forcat e RENEA-s dhe Gardës, iu përgjigj me ironi.
Ai i quajti trillime akuzat se nuk kishte kuorum në Kuvendin Kombëtar dhe tha se të hënën para çdo shqiptari do bëhen transparentë emrat e 5004 delegatëve që ishin të pranishëm.
Basha përsëriti dhe njëherë qëndrimin se Partia Demokratike do të distancohet nga konfliktet dhe nga bota e errët e interesave të së shkuarës që lidhen me Sali Berishën.
PD, tha Basha, do të jetë e përgatitur për çdo situatë.
