Një ditë me vonesë, Ministrja e Jashtme e Kosovës sot për herë të parë në Luginën e Preshevës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla Schwarz nisi vizitën në Luginën e Preshevës një ditë me vonesë.

Vizita ishte planifikuar të niste dje por mediat kosovare thanë se ajo ishte ndaluar nga autoritetet serbe.

Ndërkohë sot përmes një postimi në facebook ministrja thotë se vizitën do e nisë nga Bujanoci dhe do të flasë e të shoh nga afër se si mund të thellohet bashkëpunimi.

“Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës. Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë."

Së bashku me prof. Rexhep Gjergji, informon se është nisur drejt Bujanocit, ku do të takohen fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillohemn edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë

Gjatë ditës ministrja informon se do të qëndrojë edhe në Preshevë, ku do të takohet edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë.