I bastisën shtëpinë, e lidhën dhe kërkuan para nga prindërit për ta liruar

Dy të huaj të moshës 33 dhe 37 vjeç janë arrestuar, në Athinë, nga policia, për vjedhje në bashkëpunim, dhunë dhe rrëmbim.

Mediet greke raportojnë se 2 autorët  hynë në shtëpinë e një 23-vjeçari dhe pasi e neutralizuan, i grabitën para. Por nuk mbaron me kaq.

Duke përdorur dhunë, hajdutët e lidhën me tel 23-vjeçarin dhe i kërkuan të telefonojë prindërit që të bëjnë gati një shpërblim në kërkim të lirimit.

Pas thirrjeve të 23-vjeçarit për ndihmë, banorët e zonës kanë njoftuar policinë, e cila mbërriti menjëherë  në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur arrestimin e autorëve.

Në vendngjarje u gjet dhe sekuestrua një copë teli, shufër metalike 86 cm e gjatë dhe një shufër druri 71 cm e gjatë. Raportohet se ngjaraj ka  ndodhur më 13 dhjetor.