Përplasja e shifrave të kuvendit/ Gjana: Në Kuvendin e 18 dhjetorit, 5004 delegatë. Vokshi: Mediet të verifikojnë kapacitetet e pallatit të kongreseve
5004 delegatë kanë firmosur prezencën në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kryesia e Partisë Demokratike këtë të shtunë. 69 më tepër se Kuvendi i mbledhur një javë më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha. Shifër kjo e pakuptimtë për palën tjetër. Albana Vokshi vë në dukje kapacitetin e vogël të Pallatit të Kongreseve.
Dy Kuvendet Kombëtare të Partisë Demokratike ai 11 dhjetorit dhe i 18 dhjetorit ka qenë edhe një betejë shifrash, se në cilin prej tyre do të merrnin pjesë më tepër delegate.
Sipas shifrës së raportuar nga Jemin Gjana, prezent në Kuvendin e thirrur nga kryesia e Kuvendit kanë qenë 5004 delegatë, 69 delegatë më tepër se sa në Kuvendin e 11 dhjetorit.
""Të dhënat konfirmojnë se ne kemi shumicën dërrmuese të delegatëve. Kryesia e PD nga të dhënat e regjistrimeve në të 14 Komisionet e verifikimit të mandateve të delegatëve të Kuvendit, Sekretariati pranë këtij Komisioni më ka dorëzuar të dhënat e pjesëmarrjes. Kuvendi Kombëtari PD-së ka gjithsej 7646 anëtarë, nga të cilët sipas prezencës së nënshkruar kanë qenë të pranishëm dhe janë të pranishëm ne Kuvendin e datës 18 dhjetor 5004 delegatë të Kuvendit. Kuvendi Kombëtar i PD-së ka gjithsej 7646 anëtarë, nga të cilët sipas prezencës së nënshkruar prej secilit prej delegatëve të këtij Kuvendi. Kanë qenë të pranishëm dhe janë të pranishëm 5004 delegatë të Kuvendit," tha Gjana.
Por kjo shifër nuk pranohet si e saktë nga pala tjetër, për të cilën 18 dhjetori është dita e referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Deputetja Albana Vokshi, si përfaqësuese e Komisionit për Rithemelimin e PD, ftoi mediet që të verifikojnë edhe shifrën 5004, pasi sipas saj Pallati i Kongreseve, nuk i mban kaq persona.
"Ju jeni gazetarë e dini shumë mirë se sa mban salla e Pallatit të Kongreseve, i bëni vetë llogaritë se sa mund të mbajë ajo sallë brenda. Ato numra as nuk dua t'i komentoj," tha Vokshi.
Por paragjykimit të numrit të delegatëve të pranishëm, kreu i Komisionit të zhvillimit të Kuvendit Kombëtar, Jemin Gjana i parapriu duke deklaruar se ditën e diel do të publikohen emrat e të gjithë atyre që kanë qenë të pranishëm në Pallatin e Kongreseve.

