Raporti i BE: Krimi i organizuar pengesë për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, kanë lidhje me politikën

Eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe avancimi drejt integrimit në BE janë procese reciproke dhe bëjnë thirrje për një proces të përshpejtuar integrimi.

Në një raport mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, eurodeputetët u kërkuan qeverive në rajon të rrisin ndjeshëm përpjekjet e tyre për të ecur përpara me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BE-ja duhet, sipas eurodeputetëve, të mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik.

Përshpejtimi i procesit të integrimit në BE

Raporti, i miratuar të mërkurën në mbrëmje me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për emigrantët dhe refugjatët e për pastrim parash dhe trafik armësh.

Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme.

Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të prekshme, thotë raporti, janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia e Kina.

Mungesa e vullnetit të mirëfilltë politik në luftën kundër krimit të organizuar

Duke qenë të vetëdijshëm për raportet dhe akuzat për lidhjet ndërmjet figurave të nivelit të lartë politik dhe grupeve të krimit të organizuar, eurodeputetët nënvizojnë nevojën për të çrrënjosur lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes masave mbrojtëse të qarta kundër korrupsionit dhe ndjekjes efektive të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.

Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar

Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës dhe bizneseve ekzistonin para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe kanë vazhduar që nga fundi i konflikteve të viteve 1990, dhe eurodeputetët dënojnë mungesën e dukshme të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon për të hapur arkivat e ish-Jugosllavisë dhe dosjet t'u kthehen qeverive nëse duan.

Eurodeputetët nënvizojnë gjithashtu se është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të ndajnë inteligjencën me shtetet anëtare e partnerët ndërkombëtarë.

Raportuesi Lukas Mandl (EPP) tha: “Krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe në njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse është një pengesë e madhe për përpjekjet e shoqërive në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar shtetet dhe ekonomitë e tyre. BE-ja nuk duhet të përdorë krimin e organizuar si justifikim për të vonuar procesin e zgjerimit, por duhet të qëndrojë në krah të njerëzve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar.”