"Nga nesër përveshim mëngët me Edi Ramën", Këlliçi: Sali Berisha ka treguar se ngrihet nga hiri, demokratët kanë vendosur ti besojnë
Për Belind Këlliçin, referendumi i sotëm për shkarkimin e kryetarit të PD Basha është historik.
Duke folur për median, ai tha se dita e sotme i jep fund dhe luftës së brendshme brenda PD dhe nga nesër beteja fillon me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Këlliçi: Ky është referendumi i parë historik në 31 vite i PD. Mbahet referendum për shkarkimin e ish-kryetarit të partisë Lulzim Basha. Do jeni të impresionuar nga shifrat e pjesëmarrjes, do shihni një proces model si ai i Kuvendit Kombëtar. Histori si ai i zotërisë në Berat që kishte ardhur nga Athina me kartë të '92. Një ditë e re po vjen, PD do ngrihet më e fortë se kurrë. Pas kësaj dite beteja jonë do jetë me Edi Ramën. Do përveshim mëngët të fillojmë betejën frontale me keqeverisjen.
Këlliçi është i bindur se mes Bashës dhe lëvizjes Berisha peshorja e demokratëve anon nga kjo e fundit.
Këlliçi: Ka një debat të brendshëm në PD por peshorja anon dukshëm nga ajo anë që kërkon hapjen e PD, një PD më të bashkuar. Në 12 vite të jetës time aktive të PD nuk kam parë radhë të tilla si sot. Edhe këtu ka demokratë me tesera të '91, '92, '94. Po rikthehen në PD qëndrestarë, themelues, që kishin 10-15 vite që nuk ishin pjesë aktive e PD, është treguesi që PD po bashkohet.
Për të damka për demokratët nuk qëndron te shpallja non grata e Berishës nga SHBA por te të qënit në opozitë për të tretin mandat radhazi.
Këlliçi: Nuk kemi asnjë damkë përveç një problemi që për herë të parë jemi në një mandat të tretë në opozitë. Do të doja shumë që këtë lëvizje ta kishte patur vullnetin, karizmën një figurë tjetër në PD për ta udhëhequr por Berisha me eksperiencën, këmbënguljen, faktin që qëndron mbi të gjitha rrymat dhe fraksionet në PD është fakt që këtë lëvizje e udhëhoqi ai. Foltorja shihet si i vetmi instrument për të bërë një ndryshim në PD. Jo të gjithë që vijnë sot për të votuar vijnë për shkak të afeksionit që kanë për Berishën.
Të gjithë bashkohen për një PD më të madhe, të hapur dhe fituese. Në 23 vite që Berisha ka drejtuar PD, 13 vite ka qënë në krye të qeverisë. Berisha e ka treguar veten se di të fitojë, të ngrihet dhe nga hiri, demokratët kanë vendosur ti besojnë.Zyrtarisht në selinë e PD lidershipi i PD është shkarkuar, ka një vendimmarrje të Kuvendit. Listat janë të siguruara nga sekretariati organizativ. Pjesë e Komisionit të Rithemelimit dhe pjesë e Komisionit Qëndror Zgjedhor sot është Minarolli dhe Kaso, dy figurat që mbulojnë çështjet zgjedhore në PD.
Këlliçi shtoi se anëtarët e PD-së në 71 degë në gjithë Shqipërinë po votojnë në 106 Qendra Votimi.

