Arrestimi i Lefter Kokës, Murati: Mund të quhet sukses i drejtësisë, ka shkuar drejt piramidës së pushtetit

Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka është prangosur mëngjesin  e kësaj të marte, 14 dhjetor pas një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme të miratuar edhe nga Gjykata. Ai akuzohet për vepra penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Gazetari Eri Murati i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se pavarësisht se ky ishte një lajm i madh sepse kemi të bëjmë me një ish-ministër, ky nuk është një precedent absolut në historinë 30 vjeçare të historisë shqiptare.

Murati: Ne jemi një nga vendet më të korruptuara të Evropës sipas çdo raporti ndërkombëtar, plus ne jetojmë në këtë vend dhe e dimë implikimin e politikanëve të korruptuar dhe mungesën e ndëshkueshmërisë. Ky lajm mund të quhet një sukses për drejtësisë tonë pasi ka arritur të godasë jo thjesht zyrtarë të nivelit të dytë dhe të tretë, por ka shkuar drejt piramidës së pushtetit. Lefter Koka është një nga protagonistët thelbësorë të PS  në qarkun e Durrësit, pra është një politikan i rëndësishëm.

Por nga ana tjetër, sipas Muratit, do të duhej që drejtësia të gërmojë më shumë dhe të vëër para përgjegjësisë të gjithë fajtorët e aferës së inceneratorëve.

Murati: Kjo është një aferë që vitin e fundit është ndezur për shkak të fushatës elektorale, pro ka të paktën 4 vite që opozita ka bërë interpelancë me ministrin e atëhershëm Damian Gjiknuri. Është një çështje që ka qenë e ndezur për 3-4 vitet e fundit në politikën shqiptare. Nga pikëpamja politike mund të jetë një fitore e vogël për opozitën, nga pikëpamja juridike çdo njeri është i pafajshëm për sa kohë nuk është dënuar me vendim të formës së prerë. Presim që ky hap i parë që ka hedhur drejtësia të vijojë edhe në Gjykatë, të dalin gjithë përgjegjësit dhe të penalizohen ata që kanë luajtur me paranë publike në vend.  

Murati u shpreh se kjo është një aferë skandaloze dhe duhen përgëzuar ata që e kanë firmosur atë, sepse sipas tij është dashur një kurajo shumë e madhe.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku