Arrestimi i Kokës, Xhixho: LSI e kishte ministër që të zbatonte ligjin, kush shkel ligjin të përgjigjet para drejtësisë
Deputetja e LSI Erisa Xhixho, ka komentuar arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.
E pyetur nga gazetarja Matilda Mcini, se a ndikon arrestimi i Kokës te LSI, pasi ka qenë ministër i kësaj partie, Xhixho në intervistën për Ora News, u shpreh se detyra e Kokës ishte t’u shërbente qytetarëve dhe jo të abuzonte me detyrën.
Ndër të tjera ajo tha se çdo zyrtar që abuzon me detyrën duhet të përballet me drejtësinë.
Matilda Mcini: A ka një kosto edhe LSI pasi Koka ka qenë ministër i saj?
Erisa Xhixho: LSI në momentin që i ka dhënë një mundësi, një shans çdo personi për të ushtruar një funksion ka pasur në parim zbatimin e ligjit. Pra nëse ky person që është emëruar në poste të caktuara apo dhe persona të tjerë, parimi ka qenë që ata të zbatojnë ligjin dhe t’I shërbejnë qytetarët. Kushdo zyrtarë i cili ka abuzuar ushtrimin e detyrës së tij do të duhet të përgjigjet para drejtësisë. Ne kemi mbështetur me votat tona në 2016 edhe sistemin në drejtësi si një domosdoshmëri.
Ne besojmë që një drejtësi e pavarur i shërben qytetarëve. Unë mendoj se përgjegjësia është individuale e Kokës, shmang përgjegjësitë e LSI. Mendoj se reflektimi i LSI në momentin që ka bërë kallëzim pranë SPAK, për një ish-drejtues të saj, është sepse ajo beson se interesi publik është shumë më i rëndësishëm se çdo lloj interesi tjetër. Zbardhja e së vërtetës për këto raste duhet të jetë shumë i fortë. Njerëzit kanë nevojë të shohin shembuj të funksionimit të sistemit të drejtësisë por edhe zbardhjes së të vërtetës që të mos guxojnë të abuzojnë me fondet publike në vendin tonë.
Xhixho tha se Koka është një nga ‘peshqit’ e mëdhenj që është vënë prapa hekurave, ndërkohë ka shtuar se ka shumë zyrtarë të tjerë që duhet të jenë para drejtësisë, por megjithatë nuk ka dhënë emra.
Matilda Mcini: A është zoti Koka peshku i madh?
Erisa Xhixho: Në denoncimet që ka bërë opozita por edhe në opinionin publik, ka nevojë që këto institucione të veprojnë me zyrtarë të lartë. Koka është një nga zyrtarët e lartë. Gama e njerëzve të cilët duhet të jenë para drejtësisë është shumë e madhe. Shumë nga zyrtarë të lartë që ndodhet në qeveri janë denoncuar. Ka shumë dosje që do duhen të zbardhen dhe që pa dyshim që interesi publik është shumë i madh për t’i shkuar deri në fund këtyre aferave. Duke dënuar zyrtarë të lartë të cilët janë të përfshirë në korrupsion dhe në abuzime të fondeve publike, bëhen model edhe për zyrtarë të tjerë.
