“18 dhjetori është për të mbajtur karrigen”, Spaho: Basha s’ka më delegatë, vetëm po e mbushi sallën me njerëzit e Ramës
Deputeti i Partisë Demokratike Edmod Spaho, është shprehur se PD është bunkerizuar, ndërsa ka shtuar se vendimet merren në mënyrë personale.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Spaho është shprehur se synimi i nismës që është marrë është që partia të demokratizohet dhe të hapet, dhe sipas tij kjo ndodh nën udhëheqjen e ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Edmond Spaho: PD është bunkerizuar, vendimet merren në mënyrë personale. Jepen për zbatim pa u diskutuar me strukturat. Përgjatë shumë viteve, janë marrë një sërë vendimesh të rëndësishme politike që kanë rezultuar katastrofë për forcën tonë. Duke filluar që nga djegia e mandateve. U morën një sërë vendimesh tjera që në fund të fundit u mbyllën me atë që ne humbëm zgjedhjet katër herë. Pikësynimi është që partia të demokratizohet, të hapet, të bashkohet dhe të jetë më e fortë dhe kjo ndodh me Berishën. Njerëzit shohin te Berisha shpresën që të mund të rikthehet PD në pushtet. Sot në PD kjo lëvizje që u ndërmor mund ta merrte vetëm një njeri si Berisha. Ishte njeriu më i përshtatshëm për ta çuar deri në fund këtë lëvizje. Nuk e mbështesin kot njerëzit. Ndryshimi në statut synon që të ketë alternativa.
Ndër të tjera ai tha se Kuvendi i 11 dhjetorit ishte transparent, ndërsa ka shtuar se me vendimet që janë marrë synohet një parti më demokratike që është sot.
Edmond Spaho: Berisha së bashku me ndryshimet që u bë, tani në statut po synojnë një parti që të jetë shumë më shumë demokratike që është sot. Në një organizatë politike vendos shumica. Ku do shkojë Basha i vetëm, vetëm me atë grup njerëzish që ka në seli. Kuvendi ka qenë transparent. Nuk kanë dashur që të verifikojnë por nuk kanë dashur, sepse e dinë shumë mirë se delegatët kanë firmosur. Në Kuvend të gjithë kanë hyrë me skanim.
Ndërsa përsa i përket përsa i përket datës 18 dhjetor, Spaho tha se ky Kuvend mbahet me qëllimin e vetëm për të mbajtur karrigen.
Edmond Spaho: Historia e antimitingut, apo anti-Kuvendit të 18 dhjetorit është për të mbajtur karrigen. Nuk shkëputen dot nga karrigia. Basha vetëm po e mbushi Kuvendin me njerëzit e Edi Ramës. Nuk ka rrugë tjetër se si ta mbush Kuvendin. Edhe Pallati i Kongreseve nuk mban më shumë se 2 mijë e ca njerëz. Ajo që pretendohet të bëhet atje nuk ka mundësi fizike. Fakti që ne po mbajmë referendum flet për të mirë të transparencës dhe ndjekjes së të gjithë hapave, dhënies në fuqi anëtarësisë së PD për të marrë vendimet.
